
Senatorët amerikanë, republikani Thom Tillis dhe demokratja Jeanne Shaheen, i paraqitën Kongresit amerikan një amendament përmes të cilit kërkohet njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë ndërsa refuzohet kategorikisht politika që mbështet shkëmbimin e territoreve dhe ndryshimin e kufijve mes dy vendeve.
“Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në njohje reciproke”, nënvizohet në amendamentin në fjalë.
Teksti mban datën 6 shtator, pra përpara se SHBA të pezullonte Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën, por u bë publik tani. Ai i bën po ashtu thirrje qeverisë amerikane që të vendosë dialogë strategjik me të dyja vendet pasi ato të kenë shfaqur angazhimin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Amendamenti është pjesë e një projektligji, i cili parashikon buxhetin për vitin fiskal 2026 për ushtrinë amerikane, ndërtimet ushtarake dhe aktivitetet mbrojtëse të Departamentit të Energjisë.
Nisma, që aktualisht është në pritje të shqyrtimit, përfshin edhe çështje që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe pozicionin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Që në hyrje të amendamenti, dy senatorët thonë se vendet e Ballkanit Perëndimor përbëjnë një rajon pluralist dhe multietnik në zemër të Europës, i cili është vendimtar për paqen, stabilitetin dhe mirëqenien e këtij kontinenti.
Top Channel