
Julia Roberts rikthehet në ekranin e madh me rolin më sfidues të karrierës së saj në filmin “After the Hunt”, një dramë e thellë që trajton temat delikate të lëvizjes MeToo, një fushatë globale kundër ngacmimit dhe dhunës seksuale, etikës akademike dhe konfliktit moral.
Në regjinë e Luca Guadagnino, filmi u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Venecia dhe do të dalë në kinema më 17 tetor. Roberts luan Almën, një profesoreshë filozofie në Yale, e përfshirë në një rast të paqartë akuze për sulm seksual që vë në pikëpyetje bindjet dhe kufijtë moralë.
Filmi sfidon ndarjen mes artit dhe artistit, kulturën e anulimit dhe vë në qendër paqartësitë morale që shoqërojnë temat bashkëkohore. Roberts thekson se “na duhet nuancë” për të kuptuar realitetin kompleks në të cilin jetojmë.
“Disa gjëra janë të mëdha, të tmerrshme, të shëmtuara… Por ka raste kur duhet të pyesim: kush vendos çfarë duhet të digjet?”, thotë Roberts, duke mbrojtur rëndësinë e reflektimit kritik.
Filmi ka ndarë kritikët, disa e kanë quajtur një kryevepër të guximshme, të tjerë e kanë kritikuar për paqartësinë. Megjithatë, Roberts shihet si në formën më të mirë të saj dhe pritet të jetë një pretendente serioze për çmimet e ardhshme.
Roberts, tashmë 57 vjeç, rrëfen se roli e tërhoqi pikërisht për shkak të kompleksitetit të Almës. “Nuk isha e sigurt nëse e doja apo e urreja”, thotë ajo. Aktorja flet gjithashtu për sfidat e të qenit nënë në epokën digjitale dhe rrezikun që sjell përdorimi i tepërt i teknologjisë te të rinjtë.
“After the Hunt” është një film që ngre pyetje më shumë sesa jep përgjigje, një reflektim i ndershëm mbi tensionet morale të kohës sonë dhe një dëshmi e rikthimit të fuqishëm të Julia Roberts në qendër të debatit kulturor.
Top Channel