Hamasi gati të lirojë pengjet, Trump: Paqja është afër, ndërprisni bombardimet në Gaza

04/10/2025 20:03

“Do t’i lirojmë të gjithë pengjet, Izraeli duhet të ndalojë menjëherë bombardimin e Gazës”, me këto fjalë Hamasi ngjalli shpresën e se fundi i konfliktit të përgjakshëm në Gaza tashmë mund të jetë shumë pranë.

Ngurrimin e tyre e përligj fakti që disa herë deri më tani është folur për afrim të paqes, vetëm për t`i parë përpjekjet e arritjes së saj të shembeshin në minutën e fundit.

Lëvizja islamike deri më tani rezulton të jetë pajtuar më propozimin e armëpushimit që presidenti amerikan Donald Trump i prezantoi botës nga Washingtoni, me në krah kryeministrin izraelit Benjamin Netanyhu.

Hamasi pranoi po ashtu edhe një pikë tjetër kyçe të marrëveshjes së paqes: besimin e kontrollit të Rripit të pasluftës një organi palestinez me mbështetje arabe dhe islamike. Megjithatë, ka ende hapa për t`u hedhur përpara se paqja të konsiderohet punë e kryer. Vetë Hamasi shkroi nëpërmjet Telegramit se është “i disponueshëm për të filluar menjëherë negociatat me ndërmjetësuesit për të diskutuar detajet e kësaj marrëveshjeje”.

Cka nënkupton qartë se po-ja e tij nuk vlen për të njëzet pikat e planit të paqes. Përgjigja e Trumpit megjithatë ndaj këtij mesazhi ishte pothuajse e menjëhershme dhe shumë pozitive.

Ndërsa zëdhënësja e tij Karoline Leavitt postoi një imazh të presidentit duke regjistruar një reagim të tij me video në mediat sociale X, vetë Trump shkroi në platformën e tij të mediave sociale Truth se beson që “bazuar në deklaratën e sapo publikuar”, Hamasi është “gati për paqe të qëndrueshme” dhe për herë të parë i bëri thirrje Izraelit “të ndalojë menjëherë bombardimet e Gazës në mënyrë që të mund të lirojmë pengjet në rrugë të sigurt dhe të shpejtë”, pasi është “shumë e rrezikshme të veprohet ndryshe”.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë i kërkoi nga ana tjetër Izraelit të ndalojë bombardimin e Gazës. Netanyahu u shpreh se Izraeli është gati të nisë implementimin e fazës së parë të planit të Trumpit, që do të sjellë lirimin e pengjeve, në këmbim të dhjetëra të burgosurve palestinezë.

 

Top Channel