
Pas përfundimit të takimit me dyer të mbyllura të Kryesisë së PD, Sali Berisha tha se nuk kanë një emër kandidati për bashkinë e Tiranës.
Ai tha se në zgjedhje PD do futet, por ende nuk kanë konkluduar në një emër të caktuar.
Siç u shpreh edhe më herët sot, PD dhe aleatët tha Berisha, do të mbështesin kandidatura të pavarura. Ai tha se kushdo që ka dëshirë të kandidojë, ka dy ditë afat për ta deklaruar.
“Nëse nuk del asnjë, janë të pavarurit e propozuar nga partitë”, tha Berisha nëse nuk do të ketë “vullnetar” të pavarur për garën përballë Ogerta Manastirliut nga PS.
“Patëm një diskutim të gjatë, të përgjegjshëm, të lirë. Ajo që predominoj dhe e konsideroj një hap të rëndësishëm në përpjekjen tonë, është se PD ndonëse ka padiskutim kandidatura kalibri për asnjëlloj krahasimi me organizatën kriminale në pushtet, do vlerësojë dhe çmojë shumë kandidaturat e pavarura.
Do konsiderojë me seriozitetin më të madh, kandidatë të pavarur të cilët garojnë si të tillë dhe që konsiderojnë të nevojshme për fitoren e tyre, mbështetjen e PD-së.
Besoj se në një valë me këtë nga diskutimet paraprake janë dhe forcat e tjera opozitare. Dhe kjo jo vetëm në bashkinë e Tiranës, por dhe në bashkitë e tjera.
Ky është një moment do të mendoja unë, për të gjithë ata qytetarë, intelektualë, ata specialistë, ekspertë që ndihen të gatshëm të përballen me narkoshtetin e Edi Ramës, të matin forcat e tyre në një garë në interesin më të mirë të qytetarëve të marrin vendimin e duhur “, tha Berisha.
Top Channel