
Rusia po ndihmon Kinën të përgatisë pushtimin e Tajvanit, dhe këtë pretendim e mbështet një dosje prej plote 800 faqesh me kontrata dhe korrespondencë, të cilën e ka zbuluar dhe verifikuar në mënyrë të pavarur Instituti i Lartë për Shërbime të Bashkuara Mbretërore (RUSI).
Hulumtuesi i lartë i këtij Instituti Oleksandr V. Danylyuk, dhe bashkautori i raportit, Jack Watling, sqaruan për Radion Evropa e Lirë domethënien e këtij zbulimi për të ardhmen e bashkëpunimit ushtarak Kinë-Rusi, si dhe për arsyet pse Rusia mund të jetë në favor të një pushtimi kinez të ishullit të vetëqeverisur me 23 milionë banorë, të cilin Pekini e përshkruan si territor të tij.
Sipas RUSI-t, dokumentet lënë të kuptohet se Moska ka rënë dakord në vitin 2023 për ti shitur Ushtrisë Popullore Çlirimtare të Kinës një sërë pajisjesh ushtarake, përfshirë makina sulmi, armë kundërtank si dhe transportues të blinduar ajror të personelit.
Autoblindat do të pajiseshin sipas specifikave kineze dhe Rusia do ta trajnonte një batalion elitar të parashutistëve kinezë për ti përdorur këto makina, thuhet në raport. Në kontratë, theksohet po ashtu se Moska do të transferonte teknologji në Kinë dhe do të lejonte që Kina të prodhonte armë të ngjashme.
Një marrëveshje e tillë do t’i forconte aftësitë manovruese ajrore të Kinës, një prej fushave të pakta ku ushtria e Moskës ka përparësi ndaj ushtrisë kineze.
Ajo i nxit po kështu shqetësimet se Pekini mund të marrë infrastrukturën në brendësi të territorit dhe njëkohësisht të kryejë sulme në porte dhe plazhe përgjatë bregdetit, si pjesë e një pushtimi të mundshëm. Moska nuk ka komentuar për këto dokumente të zbuluara.
Top Channel