
Shtetasit e Çekisë votojnë të shtunën në ditën e dytë dhe të fundit të zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat sondazhet tregojnë se mund t’i fitojë miliarderi Andrej Babish.
Një rezultat i tillë mund ta dobësojë mbështetjen e Pragës për Ukrainën dhe të ndikojë në lidhjet e shtetit me Bashkimin Evropian.
Rikthimi i Babishit, ish-kryeministër, mund ta afrojë Çekinë – aleate e Ukrainës – me Hungarinë dhe Sllovakinë, të cilat kanë refuzuar dërgimin e ndihmës ushtarake për Kievin dhe i kundërshtojnë sanksionet ndaj Rusisë.
Çekia është vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, dhe i ka rreth 11 milionë banorë.
Babish, 71-vjeçar, ka bërë fushatë me zotimet për rritje të mirëqenies dhe ndalje të ndihmës për Ukrainën.
Shumë votues e fajësojnë Qeverinë e kryeministrit Petr Fiala që i ka injoruar problemet e brendshme dhe është fokusuar në ndihmën për Ukrainën.
Duke shfrytëzuar të drejtën e tij të votës në qytetin e Ostravës, Babish ka thënë se “asgjë nuk është e sigurt, nuk kemi fituar ende”.
Partia e tij, ANO (PO) është në krye të sondazheve me përkrahjen që tejkalon 30-përqindshin, teksa grupi i Fialas, Spolu (Së bashku) renditet i dyti me rreth 20 për qind.
Rezultatet e votimit pritet të dalin në mbrëmje.
Mediat çeke kanë raportuar të premten se pjesëmarrja në ditën e parë ka qenë më e lartë sesa në zgjedhjet e mbajtura më 2021./REL
Top Channel