
Për herë të parë që nga nisja e luftës në Gaza, ekziston një dritë e qartë shprese për një marrëveshje paqeje, ndërsa Hamasi nuk e ka refuzuar propozimin e presidentit amerikan Donald Trump dhe Izraeli shfaq gatishmëri për ta shqyrtuar.
Pas muajsh lufte intensive dhe bllokimesh diplomatike, një marrëveshje e propozuar nga Shtëpia e Bardhë po gjen jehonë në terren.
Presidenti Trump shpalli lirimin e të gjithë pengjeve nga Hamasi si një “ditë të pashembullt”, ndërsa i bëri thirrje Izraelit të ndalonte bombardimet, një thirrje që Tel Avivi e injoroi fillimisht, por më pas nisi përgatitjet për zbatimin e fazës së parë të planit.
Katari dhe Hamasi nuk e kundërshtojnë — Netanyahu luhatet
Katari, ndërmjetës kryesor në konflikt, ka sinjalizuar mbështetje të matur për planin, ndërsa Hamasi është shprehur “i gatshëm të hyjë në negociata për të diskutuar detajet”. Kjo qasje e moderuar ka surprizuar shumë, duke ia lënë “pataten e nxehtë” kryeministrit izraelit Binyamin Netanyahu, i cili nga njëra anë kërkon të ruajë marrëdhëniet me Trumpin dhe nga ana tjetër përballet me presionin e aleatëve të ekstremit të djathtë në qeverinë e tij.
Netanyahu ka shmangur deri tani votimin e planit në kabinet, ndërsa përpiqet ta përdorë gatishmërinë e Hamasit si mjet presioni ndaj grupit për të pranuar kushte më të rënda.
Plani i Trump: ç’parashikon dhe çfarë fshihet pas tij
Plani përfshin një armëpushim fillestar, lirimin e pengjeve, tërheqjen graduale të trupave izraelite dhe dorëzimin e pushtetit në Gaza tek një administratë teknokratësh palestinezë. Ai gjithashtu parashikon mundësinë e një rruge drejt shtetësisë palestineze — por vetëm nëse përmbushen kushte të vështira reformimi nga Autoriteti Palestinez.
Ndërkohë, Hamasi nuk ka pranuar asnjë çarmatim, ndërsa udhëheqës të grupit brenda Gazës, sipas raporteve, mbeten skeptikë ndaj planit. Komandanti ushtarak i Hamasit, Izz al-Din al-Haddad, raportohet se e ka refuzuar hapur.
Kujt i intereson fundi i luftës? Të gjithë janë të lodhur
Si Hamasi, i izoluar dhe i degraduar brenda Gazës, ashtu edhe Izraeli, me trupat e tij rezervistë të rraskapitur dhe publikun të zhgënjyer, kanë arsye për t’i dhënë fund luftës. Presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit është rritur për shkak të numrit të lartë të viktimave palestineze, mbi 66,000 sipas burimeve të Hamasit.
Edhe shtetet arabe të përfshira në plan kërkojnë qartësi për çështjen e shtetësisë palestineze dhe hezitojnë të marrin rolin e garantuesve të sigurisë në një Gaza post-Hamas.
Shpresa apo mashtrim diplomatik?
Ekspertët paralajmërojnë se suksesi i planit varet nga vullneti i vërtetë i palëve. Trump, sipas analistëve, është më i fokusuar tek marrëveshja vetë sesa tek paqja afatgjatë. Kritikët paralajmërojnë se mund të kemi të bëjmë me një spektakël diplomatik që shërben më shumë për imazhin e Shtëpisë së Bardhë sesa për zgjidhjen reale të konfliktit.
Megjithatë, për herë të parë pas shumë muajsh, një marrëveshje nuk duket e pamundur. Hamasi është më i dobët dhe më i izoluar se kurrë, Izraeli më i lodhur dhe më i presuar nga opinioni ndërkombëtar. Nëse palët nuk përpiqen ta sabotojnë planin, shtysa aktuale mund të jetë një moment historik për paqen.
Top Channel