Trump në monedhën njëdollarëshe amerikane? SHBA përgatitet për 250-vjetorin e pavarësisë

03/10/2025 21:34

Qeveria amerikane po shqyrton mundësinë e prerjes së një monedhe përkujtimore njëdollarëshe me imazhin e presidentit Donald Trump, për të shënuar 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, që do të kremtohet më 4 korrik 2026.

Sipas drafteve të publikuara në platformën X dhe të ribotuara nga Departamenti Amerikan i Thesarit, monedha e propozuar do të paraqesë profilin e Trumpit së bashku me fjalën “LIRI” të gdhendur me shkronja të mëdha.

Në anën tjetër të monedhës, ai do të jetë i paraqitur me grushtin e ngritur përpara një flamuri amerikan, bashkë me frazën “LUFTO, LUFTO, LUFTO”, një thënie e përdorur nga Trump gjatë një fjalimi, në përgjigje të tentativës për atentat ndaj tij në korrik 2024, gjatë fushatës presidenciale.

Departamenti i Thesarit nuk ka komentuar ende zyrtarisht mbi këtë çështje, edhe pse një kërkesë për konfirmim iu drejtua nga Agence France-Presse (AFP).

Ndërkohë, Drejtori i Monedhës, Brandon Beach, ka deklaruar në platformën X se do të publikohen më shumë detaje rreth monedhës sapo të përfundojë paraliza fiskale që aktualisht ka goditur qeverinë federale.

Kujtojmë se më 4 korrik 2026, SHBA do të festojë 250 vjet nga shpallja e pavarësisë në vitin 1776, dhe janë planifikuar një sërë veprimtarish përkujtimore në shkallë kombëtare.

Top Channel