
Britania është tronditur nga sulmi terrorist që ndodhi jashtë sinagogës në Mançester ditën e djeshme, në ditën e shenjtë të Yom Kippur.
Autori ishte 35-vjeçari, Jihad Al-Sami, i lindur në Siri, i cili u rrit në një shtëpi disa blloqe larg tempullit që u masakrua. Al-Sami u qëllua për vdekje nga policia disa minuta pas sulmit.
Al-Sami kishte mbërritur në Britani si fëmijë dhe kishte marrë shtetësinë në vitin 2006. Megjithatë, ai nuk kishte qenë kurrë në shënjestër të policisë dhe as nuk ishte bashkuar me programin e parandalimit të radikalizimit “Prevent”. Ai thuhet se punonte si mësues anglishteje dhe programimi, ndërsa fqinjët e përshkruajnë atë si një njeri të izoluar dhe të qetë që shmangte kontaktin shoqëror.
Babai i tij, Faraj Al-Sami, është një traumatolog me përvojë në OJQ-të që veprojnë në zona lufte dhe në një postim të mëparshëm ai kishte ndarë një foto të djalit të tij duke mbajtur një foshnjë, dëshmi se autori kishte edhe përgjegjësi familjare.
Në orën 9:31 të mëngjesit, autori i sulmit drejtoi makinën e tij drejt besimtarëve që po shkonin drejt sinagogës.
Më pas, ai doli i armatosur me një thikë dhe filloi të sulmonte këdo që i dilte përpara, sipas dëshmitarëve. Viktimat e sulmit ishin dy anëtarë të komunitetit hebre, 53-vjeçari Adrian Dolby dhe 66-vjeçari, Melvin Kravitz. Tre persona të tjerë u plagosën rëndë, përfshirë një që u godit nga makina.
Hyrja në sinagogë e autorit u parandalua falë Rabinit Daniel Ëalker dhe vullnetarëve që nxituan të kyçnin dyert. Sipas policisë, 35-vjeçari mbante veshur një jelek që fillimisht mendohej se përmbante eksploziv, por doli të ishte jofunksional.
Në përpjekje për të ndaluar autorin e sulmit, babai i tre fëmijëve, Yoni Finley, u plagos, ndoshta kur policia qëlloi drejt Al-Samit. Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe është në gjendje të qëndrueshme. Në të njëjtën kohë, policia arrestoi dy burra dhe një grua me dyshimin për planifikimin e aktit terrorist, si pjesë e hetimit për bashkëpunëtorë të mundshëm.
Sulmi vdekjeprurës u dënua nga e gjithë udhëheqja politike dhe fetare. Kryerabini Sir Ephraim Mirvis foli për “një ditë që shpresonim se nuk do ta shihnim kurrë, por kishim frikë se do të vinte”, duke folur për “një valë të pamëshirshme urrejtjeje antisemitike”.
Kryeministri, Keir Starmer u kthye me nxitim nga Kopenhageni, kryesoi një takim të komitetit Cobra dhe u zotua të forcojë sigurinë në komunitetet hebraike.
“Ishte një sulm terrorist kundër hebrenjve thjesht sepse janë hebrenj”, tha ai, duke shprehur admirim për shpejtësinë e policisë dhe heroizmin e atyre që parandaluan një tragjedi më të madhe.
Nga Izraeli, kryeministri Benjamin Netanyahu e përshkroi masakrën si një “sulm barbar” dhe siguroi se “zemrat tona janë me familjet e viktimave”.
Ministrja e Brendshme Shabana Mahmoud deklaroi veten “të tronditur nga akti terrorist antisemitik”, duke theksuar se të gjitha detajet do të hetohen plotësisht.
Top Channel