
Një dëshmitar në Mançester, njëkohësisht edhe drejtues i lutjeve, ka rrëfyer momentet dramatike kur një person u përpoq të hynte me forcë në sinagogë, e më pas të kryente sulmin me pasoja në jetë njerëzish.
“Pashë të keqen, pashë urrejtjen”, tha ai për BBC.
Dëshmitari Daniel Walker është shprehur se ai dhe të tjerë mbajtën me forcë të mbyllura dyert e sinagogës Heaton Park, ndërsa sulmuesi Jihad Al-Shamie përpiqej të hynte brenda.
“Po sulmonte dyert, hidhte vazo të rënda me bimë, bënte gjithçka që mundej për të hyrë. Duhet ta them se pashë heroizëm të vërtetë. Njerëz që vrapuan për të ndihmuar të tjerët, jo për të ikur. Ishte e mahnitshme”, tregoi Walker.
Sipas tij, sulmi ndodhi pak para se të niste shërbesa për Yom Kippur, kur më vonë pritej prania e qindra personave në ambient.
“Nëse një zotëri në veçanti nuk do të kishte vepruar aq shpejt për të mbyllur dyert, mund ta imagjinojmë se çfarë tragjedie mund të kishte ndodhur”, shtoi ai.
Gjatë sulmit, dy persona humbën jetën, Adrian Daulby, 53 vjeç, dhe Melvin Cravitz, 66 vjeç, ndërsa tre të tjerë mbeten në spital me lëndime të rënda.
Sulmuesi, Jihad Al-Shamie, u qëllua për vdekje nga policia në vendngjarje. Policia e Mançesterit të Madh ka konfirmuar se një nga viktimat është goditur nga të shtënat e gjatë përpjekjes për të neutralizuar autorin. Policia e ka klasifikuar sulmin si një incident terrorist.
Top Channel