
Reperi dhe producenti i njohur amerikan, Sean “Diddy” Combs, u shfaq të premten, në një sallë gjyqi në Manhattan për seancën e dënimit, tre muaj pasi u shpall fajtor për transportimin e individëve me qëllim përfshirjen në prostitucion.
Gjatë procesit, ekipi i tij mbrojtës paraqiti për gjyqtarin një video 12-minutëshe ku Combs shihej duke kryer shërbime për komunitetin dhe duke kaluar kohë me familjen.
Në pamjet e publikuara, artisti shfaqej duke mbajtur fjalime motivuese për fëmijët, duke kaluar momente të ngrohta me të bijtë, si dhe duke marrë pjesë në një maratonë bamirësie për arsimin, raportoi revista “People”.
Videoja e emocionoi reperin 54-vjeçar, i cili në një moment u pa duke fshirë lotët me një pecetë që iu ofrua nga avokati i tij, Brian Steel.
Combs ishte i veshur me një pulovër krem mbi një këmishë klasike me jakë dhe pantallona të errëta, duke mbajtur një pamje serioze gjatë gjithë seancës.
Prokuroria ka kërkuar një dënim prej 12 vitesh burg, duke e përshkruar Combs si një njeri “të pashpirt dhe pa pendesë” për veprimet e tij.
Nga ana tjetër, mbrojtja kërkon një dënim jo më të gjatë se 14 muaj, duke theksuar kontributin e tij në komunitet dhe faktin që ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda të trafikut seksual dhe mashtrimit.
Megjithatë, pavarësisht vendimit paraprak, akuzat ndaj tij vazhdojnë të shtohen.
Vetëm javën e kaluar, stilisti i tij i mëparshëm ngriti një padi të re, duke e akuzuar Combs për abuzim fizik dhe seksual, trafikim njerëzor dhe diskriminim mbi orientimin seksual. Reperi i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat e reja.
Çështja e Sean “Diddy” Combs mbetet një nga më të ndjekurat e momentit në Shtetet e Bashkuara, ndërsa gjykata pritet të japë vendimin përfundimtar në javët në vijim./ TAR
Top Channel