
Shfaqja “Rendi i ri” e dramaturgut spanjoll Sergi Pompermayer ka çelur sezonin e ri teatror në skenën artistike, në qytetin e Gjirokastrës.
E interpretuar për artdashësit nga aktorët e teatrit shëtitës “Çajupi” kjo pjesë trajton problematikat me të cilat përballet shoqëria bashkëkohore.
Ngjarja zhvillohet në një repart të braktisur autopsie dhe ka në qendër katër rrëmbyes e dy të rrëmbyera (nënë e bijë), që instinktivisht janë nën kthetrat e urrejtjes dhe grindjeve të vazhdueshme për vendin, pasiguri me trazira, me krizë demokracie, vënie në pikëpyetje të drejtësisë, abuzimin emocional, kompleksitetin e pakënaqësisë dhe anarkinë.
“Që në momentin e parë që e morëm mendojmë se kjo pjesë është shumë aktuale për një popull i cili vuan gjithçka sidomos papunësinë, legalizimet e pronave, ishte shumë aktuale dhe ishte shumë afër nesh”, tha Era Çaushi, aktore.
“Kemi bërë një punë shumë të bukur, ka qenë një trup që punoi me shpirt sepse kjo është një nga ato pjesë që mendoj unë çdo aktor duhet të lejë një copë të shpirtit sepse përjetimet emocionale që kalon aktori janë shumë të vështira dhe ndihem i lumtur që premiera ishte në qytetin e Gjirokastrës”, tha Aleksandër Kondi, aktori.
“Teatri shëtitës është vazhdimisht bujtës në Gjirokastër dhe ndihet shumë mirë vendosi që ta filloj këtë udhëtim të kësaj shfaqje thellësisht dramatike, thellësisht emocionale nga Gjirokastra me besimin që pagëzimi që i bëri ky qytet kësaj shfaqje sonte ishte një shenjë që shfaqja do të udhëtojë”, u shpreh Kiço Londo, regjisor.
Përgjatë sezonit artistik të vjeshtës në skenën e teatrit “Zihni Sako” do të ngjiten trupa vendase dhe të huaja duke gjallëruar jetën artistike në qytetin e Gjirokastrës.
Top Channel