
Hamasi po zvarrit përgjigjen zyrtare ndaj planit të armëpushimit të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili u prezantua si një përpjekje e koordinuar me vendet arabe dhe Izraelin për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.
Përgjigja e Hamasit, që fillimisht pritej të martën, është shtyrë disa herë. Zyrtari i Byrosë Politike të Hamasit, Mohammed Nazzal, deklaroi se do të vendosin së shpejti.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë po rrit presionin. Zëdhënësja Karoline Leavitt, në një intervistë për Fox News, konfirmoi se presidenti do të vendosë një vijë të kuqe për përgjigjen e Hamasit.
Burime nga mediat libaneze, që pretendojnë se kanë informacion nga Uashingtoni, pohojnë se afati i fundit është e diela, një ditë më shumë nga sa kishte paralajmëruar Trump.
Sipas burimeve ndërkombëtare dhe agjencisë BBC, brenda Hamasit ka një përçarje të dukshme. Krahu ushtarak në Gaza e refuzon tërësisht planin, duke e konsideruar atë tepër pro-Izrael dhe një përpjekje për të shkatërruar Hamasin si organizatë.
Nga ana tjetër, krahu politik me seli në Doha, është i gatshëm të pranojë marrëveshjen, por kërkon qarësi dhe disa modifikime në 20 pikat e saj.
Top Channel