
Zinxhiri prind- fëmijë-mësues është këputur. Arsimtarja Sanie Korini ngre shqetësimin se dhuna në shkolla është kthyer në normalitet.
“Po rritet dhuna në mënyrë të ndjeshme dhe vetë familjet po e përkundin. Ne mësuesit përballemi çdo ditë me situata dhe me paaftësinë tonë për të rehabilituar këtë dhunë që është shumë më thellë sesa një zënkë fëmijësh në shkollë. Rastet degradojnë edhe nga mungesa e komunikimit që kanë fëmijët me prindërit, prindërit ndërmjet tyre, situata që dalin nga kontrolli në çdo moment dhe shkolla është e pafuqishme për të reaguar”.
Në punën e saj të përditshme me stafin pedagogjik si drejtuese shkolle, Korini shikon se mungon respekti ndaj figurës së mësuesit dhe po çedon sjellja edhe te nxënësit me nota maksimale.
“Anomalitë janë të përditshme edhe nga nxënës shumë të mirë të cilët në momentin e një ballafaqimi shikon që nuk ka gjuhë pozitive për të hapur rrugë, për të bashkëpunuar, për të gjetur zgjidhje”.
Një kombinim i papërgjegjshmërisë, presionit ekonomik, boshllëkut emocional dhe mungesës së besimit tek institucionet ka krijuar një terren ku konfliktet mes të miturve shpërthejnë me forcë shkatërruese.
“Shpeshherë fëmijët i sjellin në shkollë dhe nuk njohin as mësuesin kujdestar dhe nuk vijnë të interesohen asnjëherë për ecurinë e fëmijëve. Mjaftohen me ato njoftimet në SMIP apo me grupin e whats app. Shkolla, mësuesit apo drejtuesit vendosen në pozicionin e arbitrit. Por shkolla nuk mund të menaxhohet kështu se kemi të bëjmë me jetë fëmijësh. Nuk mund të fërshëllejmë bilbilin dhe të ngremë kartonin se në fund të fundit të dy palët, fajtori dhe viktima, janë fëmijë”.
Top Channel