
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skampa 2025” nisi në Elbasan edicionin e tij të 27 duke sjellë magjinë e artit të gjallë në zemër të qytetit.
Edicioni i 27-të i festivalit të stileve dhe formave të reja teatrore risjell edhe këtë vit një larmi performancash nga vende të ndryshme të botës.
Nga data 2 – 6 tetor do të ngjiten në skenë shfaqje nga 9 trupa të ndryshme teatrore, mes të cilave, trupat e ardhura nga teatri shtetëror turk, ai i Ankarasë dhe i Stambollit, si dhe trupat nga Greqia, Kosova, Lituania, Serbia e Shqipëria.
Mbrëmja e parë solli në skenë shfaqjen “Medea – Material”, nga Teatri Shtetëror i Ankarasë dhe ai i Stambollit. Teksti i Heiner Müller-it, i prezantuar për herë të parë në turqisht, ndërthur mitologjinë, historinë, kujtimet dhe ëndrrat, duke krijuar një tapiceri poetike që rrëmbeu vëmendjen e publikut dhe e bëri natën të paharrueshme.
Në 27 vite Festivali Ndërkombëtar i Teatrit ka qenë promovuesi më i mirë i artit, kulturës dhe vetë qytetit të Elbasanit duke numëruar rreth 270 shfaqje në të gjithë historinë e tij.
Top Channel