
Rusia ka kryer sulmin më të madh deri më sot ndaj infrastrukturës së prodhimit të gazit natyror në Ukrainë, që nga nisja e pushtimit në vitin 2022.
Gjatë natës, forcat ruse lëshuan 35 raketa dhe 60 dronë kundër objekteve energjetike, njoftoi kompania shtetërore ukrainase e energjisë, Naftogaz.
Sipas Naftogaz dhe kompanisë private të energjisë DTEK, objektet e goditura ndodhen në rajonet e Kharkivit dhe në Poltavës . Sulmet shkaktuan dëme të mëdha në objektet e prodhimit të gazit.
“Një pjesë e madhe e objekteve tona u dëmtuan. Disa nga dëmet janë shumë serioze”, deklaroi në Facebook drejtori i përgjithshëm i Naftogaz, Serhiy Koretsky, duke e cilësuar sulmin si terrorizëm të qëllimshëm nga Moska.
Sipas tij, këto sulme nuk kanë asnjë kuptim nga pikëpamja ushtarake dhe synojnë të privojnë miliona ukrainas nga ngrohja gjatë dimrit.
Kryeministrja ukrainase, Julia Svirydenko, reagoi përmes një postimi në Telegram, duke akuzuar Rusinë për terrorizim të popullsisë civile dhe përpjekje për të shkatërruar sezonin e ngrohjes.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, gjatë natës u lëshuan 381 dronë dhe 35 raketa, me objektiv infrastrukturën energjetike. Nga këto, 18 raketa dhe 78 dronë goditën objektiva, ndërsa pjesa tjetër u rrëzua nga mbrojtja ajrore.
Ministria e Mbrojtjes ruse konfirmoi sulmet, duke deklaruar se kishte kryer sulme masive me armë me precizion të lartë kundër kompanive ushtarako-industriale në Ukrainë dhe infrastrukturës së gazit dhe energjisë që i mbështesin ato.
Kujtojmë se sulmet sistematike ndaj rrjetit energjetik ukrainas nisën në vjeshtën e vitit 2022, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike duke lënë miliona ukrainas në errësirë, shpesh në mes të dimrit.
Në prill të këtij viti, qeveria ukrainase njoftoi se sulmet kishin përgjysmuar prodhimin vendas të gazit natyror.
Në kundërpërgjigje, Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse. Një burim nga Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) konfirmoi për AFP se një sulm ukrainas kishte goditur një rafineri në rajonin Orenburg, afër kufirit me Kazakistanin, rreth 1,400 kilometra larg nga Ukraina.
Në rrjete sociale u publikuan video të paverifikuara, ku shihet një dron që përplaset mbi një objekt industrial, ndërsa re tymi ngrihen në qiell. Guvernatori i rajonit konfirmoi se ishte goditur një strukturë industriale, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Drones have attacked the Orsk oil refinery in Russia’s Orenburg region — nearly 1,400 km from the Ukrainian border. pic.twitter.com/6wFF5YhJsf
— Visegrád 24 (@visegrad24) October 3, 2025
Top Channel