
Më shumë se 200 mijë persona dolën në protesta në të gjithë Italinë këtë të premte, duke ndërprerë punën dhe duke marrë pjesë në një grevë të përgjithshme në mbështetje të anijes humanitare për Gazën.
Greva shkaktoi ndërprerje masive në transportin publik dhe shërbimet publike, ndërsa protestuesit dënuan trajtimin që iu bë misionit humanitar Global Sumud, i cili tentoi të sfidonte bllokadën izraelite ndaj Gazës.
Protesta, e thirrur nga sindikatat USB dhe CGIL, pasoi protestat e një dite më parë në qytete të mëdha si Milano dhe Romë, ku mbi 10 mijë vetë marshuan nga Koloseu.
Në Romë, protestuesit u mblodhën përpara stacionit qendror Termini, duke bllokuar trenat dhe linjat urbane. Policia raportoi mbi 80 mijë pjesëmarrës vetëm në kryeqytet.
Në Milano, ku gjithashtu u raportuan mbi 80 mijë protestues, rrugët u mbushën me flamuj palestinezë, ndërsa qindra persona tentuan të bllokonin një nga unazat rrugore, duke provokuar ndërhyrjen e policisë me gaz lotsjellës.
Sipas organizatorëve, 50 mijë protestues marshuan në Torino, 40 mijë në Gjenovë, ndërsa në Napoli mbi 10 mijë persona bllokuan portin. Në qytete të tjera si Bari, Palermo, Perugia dhe Cagliari, u bllokuan stacionet hekurudhore dhe rrugët kryesore.
Zëvendëskryeministri Matteo Salvini paralajmëroi se 1 milion italianë mbetën të bllokuar në stacione, duke e kritikuar ashpër grevën. Në Bolonjë, turma marshoi në autostradën që lidh jugun me verilindjen e vendit, duke shkaktuar kaos në qarkullim.
Ndërkohë, kryeministrja Giorgia Meloni e quajti flotiljen një nismë të rrezikshme dhe të papërgjegjshme, duke dënuar gjithashtu grevën kombëtare.
Këto deklarata kanë shtuar më tej zemërimin e protestuesve në të gjithë vendin.
Top Channel