
“Eja këndo me ne” çeli edicionin e tij të nëntë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Nën dirigjimin e Dritan Lumshin dhe me koncertmaestër Ingrid Pulizon, projekti do të përzgjedhë koret nga shkollat 9-vjeçare. Fëmijët mësojnë të këndojnë korale të ndryshme dhe do të njihen me një repertor operash të njohura, përfshirë ato shqiptare.
“Opera ‘Skëndërbeu’ ka korale për fëmijë nga kompozitori Prenk Jakova, kemi operën ‘Carmen’ të Georges Bizet, kemi korale nga opera “Madame Butterfly”, opera ‘Nabucco’, ‘La Traviata’, ‘La Boheme””, shprehet Dritan Lumshi.
Projekti edukim përmes artit promovon artin muzikor që në hapat e parë dhe zbulon talentet e reja.
“Ne synojmë drejt muzikës korale, por kjo nuk do të thotë që ne nuk zbulojmë talente, që spikasin. Gjatë këtij projekti, ne kemi zbuluar talente, që kanë vazhduar Liceun Artistik dhe sot Akademinë e Arteve. Kam dhe student, të cilët performojnë sot”, thotë Dritan Lumshi.
Por, sa e njohin fëmijët muzikën klasike?
“Në fillim është e vështirë, por kur bëjmë prezantimin bëhet shumë e dashur për ta. Nga ky projekt ka dalë edhe Kori i Zërave të Bardhë”, shton ai.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Arsimit, ky rrugëtim i gjatë me trajnime nga profesioniastë vokal, do të finalizohet në fillim të janarit, kur do të zgjidhet kori fitues.
Top Channel