Rama sqaron batutën që u bë virale për presidentin Trump: Ta shtrembërosh në helm politik është e padrejtë

02/10/2025 21:32

Një video e shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ku Kryeministri Edi Rama shihet në një moment humori me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe atë të Azerbajxhanit Ilham Aliyev, ka ngjallur reagime të shumta, duke u bërë edhe pjesë e mediave ndërkombëtare.

Pas valës së interpretimeve, Kryeministri Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social “X”, duke sqaruar se gjithçka ishte një moment i thjeshtë humori mes miqsh dhe jo një deklaratë politike.

“Është vërtet e jashtëzakonshme se si funksionon media e sotme dhe si e ashtuquajtura “viralitet” mund ta shtrembërojë kaq lehtë realitetin. Një fjali e thënë me humor të mirë, në frymën e miqësisë, papritmas shndërrohet në një kryelajm botëror të një samiti të tërë midis dhjetëra kombeve, ndërsa gjithçka tjetër, substanca e vërtetë, bëhet e parëndësishme. Por po, ishte shumë argëtuese sot të isha me mikun tim të vjetër Ilham Aliyev dhe, në prani të mikut tonë të dashur të përbashkët Emmanuel Macron, t’i referohesha një gabimi të Presidentit Trump se edhe Shqipëria arriti të bënte paqe me Azerbajxhanin, ndërsa vetë Emmanuel punoi pa u lodhur, për një kohë të gjatë, për të sjellë paqe midis Azerbajxhanit dhe Armenisë. Një vërejtje e lehtë, një moment miqësor. Sigurisht, nuk ka problem nëse përhapet, por ta shtrembërosh atë në helm politik është thjesht e padrejtë”-shkruan Rama.

Në të njëjtin reagim, Rama ka vlerësuar edhe rolin e Presidentit Trump në proceset e paqes, duke thënë se ai ka arritur të vendosë paqe aty ku të tjerët kanë dështuar dhe vijon të punojë në këtë drejtim.

“Pra, le ta sqarojmë situatën: E vërteta është se Presidenti Trump e ka treguar veten si një udhëheqës që e riktheu fjalën “paqe” në fjalorin e Perëndimit pas shumë vitesh. Dhe po, në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër, ai ka arritur paqe aty ku të tjerët u përpoqën por dështuan dhe ai vazhdon ta ndjekë atë pa u lodhur. Ai shkëmbim nuk ishte gjë tjetër veçse një moment humori të mirë midis njerëzve që, në fakt, janë ndër admiruesit më të mëdhenj të Presidentit Trump”.

Ngjarja ndodhi gjatë Samitit të Komunitetit Politik Europian në Kopenhagen, ku, në një bisedë jozyrtare, Rama përmendi lapsusin e përsëritur të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili ngatërronte Shqipërinë me Armeninë.

Top Channel