
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, një prej zërave më të fortë, Ervin Salianji, mendon se për Bashki si e Tiranës, ku kundërshtari ka për kandidat një figurë të lartë politike, do të duhet të kishte si zgjedhje nga PD, një figurë të këtij niveli.
I ftuar këtë të enjte në “Breaking” në Top News, përballë këtij qëndrimi, ish-deputeti demokrat, thekson se situata aktuale e detyron PD-në të dalë me një figurë përbashkuese.
“Garat e forta, siç është Tirana, sidomos kur kanë kandidatë të profilit të larta politike në profilin e strukturës, siç është Manastirliu, duhej të kishin kandidatë me profil të lartë politik. Kontekstin të cilin ndodhet sot dhe kushtëzimet që kanë nga partitë e tjera të koalicionit, bëjnë që të ketë profil kandidatësh që janë përtej partive politike”, tha Salianji.
Dorëheqjen e kryetarit kur humb zgjedhjet në demokraci, Salianji e sheh si një zgjidhje parimore, por ka një arsyetim për rastin Berisha.
“Parimi bazë në demokraci i është që elita ndryshohen dhe kush nuk ari fitoren ndryshohet, ky është parim thuajse si një normë ligjore e pashkruar. Por diskutimi sot është që Shqipëria nuk ka demokraci dhe nuk kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Presim dhe raportin përfundimtar të OSBE/ODIHRR. Por në këto kushte a duhet të qëndrojë një kryetar opozitë për të denoncuar këto shkelje? Mendoj se kjo është zgjidhja e drejtë në këto momente”, shtoi Salianji.
Nga ana tjetër, ish-deputeti demokrat thekon se Partia Demokratike ka nevojë për një riorganizim të plotë, nga qeliza e saj, seksioni, deri në qendër. Në këtë riorganizim Salianji tha se përfshihet edhe Berisha, i cili ka deklaruar se me përfundimin e mandatit në krye të PD, do të hyjë në garë.
Top Channel