
Florian Haçkaj, i përfoluri si kandidat i PD-së për Bashkinë e Tiranës, ka reaguar në lidhje me këtë propozim të opozitës.
Ai shkruan se është i nderuar për propozimin, teksa shton se “opozita ka nevojë jetike për një figurë përbashkuese”. Ai gjithashtu nuk la pa përmendur as kolegët e tjerë të propozuar si kandidatë në zgjedhjet për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
“Ndihem i nderuar që emri im është propozuar si një nga kandidatët e mundshëm të opozitës për Bashkinë e Tiranës dhe falënderoj të gjithë ata që e kanë sugjeruar dhe mbështetur këtë ide.
Ky nuk është vetëm një vlerësim personal, por edhe një njohje e rolit që Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka dhënë dhe mund të japë në forcimin e opozitës dhe në zhvillimin demokratik të vendit.
Çdo angazhim politik kërkon vendimmarrje të matur dhe përgjegjësi të lartë e një vendim i tillë mund të merret vetëm në rast të një propozimi zyrtar.
Opozita ka nevojë jetike për një figurë përbashkuese. Si Edlira Çepani ashtu edhe Ermal Hasimja janë personalitete që i vlerësoj dhe që do ta përmbushnin më së miri këtë detyrë.
Me respekt, Florian Haçkaj”, thuhet në reagimin e tij.
Top Channel