Angli/ Hetimi për vetëvrasjen e Leonard Farrukut. “Home Office humbi mundësinë për të vlerësuar shëndetin mendor”

02/10/2025 20:27

Home Office, Ministria e Brendshme ne Britaninë e Madhe ka “humbur mundësinë” për të vlerësuar shëndetin mendor të një azilkërkuesi shqiptar përpara se ai të transferohej në anijen hotel Bibby Stockholm, ku i dha fund jetës së tij.

Ky është konkluzioni i një mjekeje ligjore pas një procesi gjyqësor dy javor për mënyrën si i dha fund jetës në 2023 i riu Leonard Farruku.

Rachael Griffin e cila udhëhoqi këtë proces, tha se Ministria e Brendshme Home Office, kishte kritere të qarta që çdo banor me nevoja më të mëdha shëndetësore, qoftë mjekësore apo të shëndetit mendor, nuk duhej të akomodohej në anije për shkak të vendndodhjes së saj të largët në Portland Port, West Dorset.

Griffin tha po ashtu se një numër raportesh incidentesh në hotelin e Devonit, që regjistronin sjelljen e z.Farrukut si dhe shqetësimet për shëndetin e tij mendor, u bënë nga ekipi i mbrojtjes në korrik dhe gusht.

Ajo shtoi se këto raporte iu përcollën Ministrisë së Brendshme, por nuk u futën në sistemin e saj  të çështjeve të emigracionit, njohur si Atlas.

Ajo tha: “Është shqetësuese që edhe sot dëshmitari i Ministrisë së Brendshme nuk e pranoi këtë si informacion të rëndësishëm që duhej regjistruar në Atlas.

Nëse nuk regjistrohej atje, nuk do të ishte i disponueshëm për stafin që kryenin vlerësimet e mëvonshme, të cilët të paktën do të alarmoheshin për të shqyrtuar më tej çështjet e shëndetit mendor të ngritura.”

Nia Dowd, drejtuesja e ekipit në anijen hotel tha se stafi e konsideronte Leonardin me “probleme serioze të shëndetit mendor”.

Ajo shtoi se më 3 nëntor i kishte dërguar email Ministrisë së Brendshme për të ngritur “urgjentisht” shqetësimin për Leonardin, i cili po transferohej në anije, por nuk kishte marrë përgjigje.

Mjekja ligjore Griffin në vendim e saj tha se: “Është për t’u vlerësuar që zonja Dowd përcolli këtë informacion duke e ditur që Leonard ishte transferuar; kjo duhej të kishte çuar në një hetim të mëtejshëm mbi përshtatshmërinë e tij.

Ishte një mundësi e humbur nga Ministria e Brendshme që të mos ndërmerrte asnjë veprim.

Ajo tha se nuk ishte bërë asnjë vlerësim i shëndetit mendor për Leonardin para transferimit në anije dhe shtoi: “Dihet shumë pak mbi atë që Leonard mendonte për situatën ku gjendej si azilkërkues.

Deborah Coles, drejtoreshë e organizatës bamirëse Inquest, tha: “Të gjithë biem dakord që secili, veçanërisht ata që kërkojnë siguri, duhet të trajtohen me dinjitet dhe humanitet.

Megjithatë, ky hetim ka nxjerrë në pah pasojat fatale të vendosjes së njerëzve si Leonard Farruku në anije që shërbejnë si burgime de facto, ku masat mbrojtëse ekzistojnë vetëm në letër.

“Këto politika të dëmshme i izolojnë njerëzit nga komuniteti, mbështetja dhe kujdesi shëndetësor, dhe ua mohojnë dinjitetin. Mes retorikës raciste rreth emigracionit, duhet të kujtojmë koston e vërtetë njerëzore.” theksoi ajo.

Top Channel