Vonesa deri në 4 vite për zbardhjen e vendimeve, ILD jep masën disiplinore për gjyqtarin në Sarandë

01/10/2025 12:37

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar masë disiplinore ndaj gjyqtarit Shkëlzen Liçaj, me detyrë në Gjykatën e Shkallës së Parë, Juridiksioni i Përgjithshëm Sarandë, pas hetimit disiplinor të nisur për shkelje të rënda në përmbushjen e detyrimeve funksionale.

Hetimi është bazuar në 13 ankesa për vonesa të përsëritura në zbardhjen e vendimeve gjyqësore, që në disa raste kanë shkuar deri në 4 vite tejkalim të afatit ligjor. Vendimet i përkasin periudhës 2021–2023, ndërkohë që janë përfshirë edhe dy procedime të mëparshme që janë bashkuar në një dosje të vetme hetimore.

Raporti i ILD-së vë në dukje se:

Vonesat në zbardhje nuk janë episod i izoluar, por një model i përsëritur për tre vite radhazi, duke tejkaluar çdo standard ligjor dhe profesional;

Shkeljet kanë sjellë vonesa në të drejtën e ankimit, në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe mosmarrjen në kohë të produktit të pritshëm nga një gjykim – në thelb, një drejtësi të mohuar për qytetarët;

Gjyqtari ka vetëm 5 vite përvojë në sistem, por shkeljet janë konstatuar në vitet e 2-të, 3-të dhe 4-t të ushtrimit të detyrës, çka sipas ILD dëshmon për mungesë përgatitjeje dhe përgjegjshmërie funksionale.

Megjithëse gjyqtari ka qenë bashkëpunues gjatë hetimit, ILD vlerëson se shkeljet përbëjnë “shkelje të rëndë disiplinore”, duke kërkuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor caktimin e masës:

“Ulje e përkohshme e pagës deri në 40% për një periudhë jo më të gjatë se një vit”, bazuar në nenin 105 dhe 108 të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Top Channel