Taksat e automjeteve në e-Albania, shërbimi i ri i pagesës online, kursim kohe dhe shpenzimesh për qytetarët

01/10/2025 16:59

Për të gjithë qytetarët të cilët zotërojnë një automjet, nuk është e nevojshme më të paraqiten fizikisht në sportele për të paguar taksat e tyre, por tashmë ato do të paguhen në portalin qeveritar e-Albania.

Nëpërmjet regjistrimi në aplikacion dhe zbatimit të hapave në hapësirën taksat e mia qytetarët mund të paguajnë detyrimet për mjetet e tyre në moment. Ky shërbimi i ri i mundësuar nga DPSHTRR në bashkëpunim me AKSHI pritet të lehtësojë ndjeshëm procedurat për mbi një milion përdorues.

 “Siguria është maksimale. Të gjithë aktorët dhe bankat e nivelit të dytë janë të certifikuara për sigurinë kibernetike dhe fizike. Në momentin që qytetari paguan në aplikacion, i vjen njoftimi i menjëhershëm për pagesën”, deklaron Endri Haxhiu, drejtor i përgjithshmit i DPSHTRR.

Sipas të dhënave zyrtare, 1 milion e 57 mijë qytetarë do të kenë mundësi të kryejnë këtë pagesë pa pasur nevojë të paraqiten më në sportele.  Përmes e-Albania, qytetarët do të marrin njoftime edhe për skadimin e patentës apo të certifikatës së kontrollit teknik. Zgjerimi i mëtejshëm i shërbimeve të digjitalizuara pritet të vijojë sipas Endri Haxhiut.

“Ky është vetëm një hap i parë. Kemi një sërë projektesh në proces për të sjellë gjithnjë e më shumë shërbime të transportit online, me qëllim lehtësimin e qytetarëve dhe transparencën” shton ai.

Ky shërbim I ri pritet tu kursej qytetarëve kohë, ditë pune, kilometra të përshkruara si dhe 57.9 milionë lekë.

 

Top Channel