Një fitues i “Topit të Artë” për debutuesit e Botërorit 2026, Fabio Cannavaro drejt stolit të përfaqësueses aziatike

01/10/2025 11:39

Federata e Futbollit të Uzbekistanit ka nisur zyrtarisht bisedimet për të emëruar trajnerin e ri të kombëtares, në prag të përgatitjeve për turnetë madhorë, përfshirë debutimin historik në Kupën e Botës 2026.

Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, kandidati kryesor aktualisht është ish-kampioni i botës dhe fituesi i “Topit të Artë”, Fabio Cannavaro.

Sipas burimeve të afërta me çështjen, negociatat mes palëve janë aktive dhe në zhvillim. Federata uzbeke është duke shqyrtuar seriozisht emërimin e ish-mbrojtësit italian si trajner, teksa në tryezë po diskutohen detaje si kohëzgjatja e kontratës, paga dhe stili i punës.

Përveç Cannavaros, në listën e shkurtër të federatës janë përmendur edhe dy emra të mëdhenj: Joachim Löw, ish-trajner i Gjermanisë dhe kampion bote më 2014, dhe Paulo Bento, i cili ka drejtuar ekipe kombëtare si Portugalia dhe Koreja e Jugut. Megjithatë, Cannavaro shihet si opsioni kryesor në këtë fazë.

Fabio Cannavaro është një prej mbrojtësve më të mëdhenj në historinë e futbollit. Kampion bote me Italinë në vitin 2006 dhe fitues i “Topit të Artë” po atë vit, ai ka luajtur për klubet më të mëdha europiane si Inter, Juventus, Real Madrid dhe Parma. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai ka nisur rrugëtimin si trajner, duke drejtuar ekipe në Itali dhe në Azi.

Uzbekistani është kualifikuar për herë të parë në historinë e tij në Kampionatin Botëror “FIFA World Cup 2026”, një arritje madhore për vendin. Në këtë kuadër, federata kërkon një trajner me përvojë të gjerë ndërkombëtare që mund të përgatisë skuadrën në nivelin më të lartë të konkurrencës.

Nëse marrëveshja me Cannavaron finalizohet, kjo do të jetë hera e parë që Uzbekistani drejtohet nga një ish-fitues i Botërorit dhe një nga figurat më të njohura të shkollës italiane të futbollit – një hap i rëndësishëm në rrugën drejt përfaqësimit dinjitoz në arenën globale.

Top Channel