“Jemi dakordësuar që të gjejmë një figurë që të unifikojë spektrin e opozitës”/ Këlliçi pas takimit të PD dhe aleatëve për bashkinë e Tiranës: Për dy ditë…

01/10/2025 13:45

Sot u mbajt takimi i radhës mes negociatorëve të Partisë Demokratike dhe aleatëve opozitarë, në përpjekje për të dakordësuar një kandidat të përbashkët për Bashkinë e Tiranës, në garën kundër Ogerta Manastirliut të Partisë Socialiste.

Pas mbledhjes, deputeti demokrat Belind Këlliçi deklaroi për mediat se palët janë në dakordësi për të përzgjedhur një figurë që unifikon spektrin e opozitës, ndërsa konfirmoi se emri përfundimtar do të shpallet brenda pak ditësh.

“Ishte një takim shumë pozitiv. Jemi dakordësuar që të gjejmë një figurë që të unifikojë spektrin e opozitës. Forcat politike kanë konsensus për të dalë me një emër që të përballet me Ogerta Manastirliun. Ky është një lajm i mirë – që dakordësia në parim është arritur. Kemi strukturuar disa emra të përveçëm,” – tha Këlliçi.

Ai theksoi se nuk do të bëjë publik asnjë emër konkret për momentin, ndërsa shtoi se takimet mes grupit negociator do të intensifikohen në ditët në vijim.

“Nuk kam ndërmend të dal me emra të përveçëm. Wshtë marrë ‘ok’ nga ana jonë për të shqyrtuar disa alternativa. Edhe Shabani është këshilltar në Bashkinë e Tiranës. Së bashku me Ilirin dhe Nokën do të jemi në takime intensive dhe brenda dy ditëve do të kemi mbylljen e këtij procesi informal,” – përfundoi ai.

Top Channel