Inside Story/ Ngarkesat e mishit të kontaminuar erdhën nga Brazili, si u dyfishuan importet nga ky shtet dhe problemet me gjurmueshmërinë

01/10/2025 22:58

Brazili është vendi nga ku më së shumti Shqipëria importon mishin. Pikërisht me origjinë nga ai vend janë konstatuar edhe ngarkesat problematike në shumicën e rasteve.

Sipas të dhënave të doganës, importet e mishit nga ky vend po rriten me ritme të frikshme dhe vetëm për një periudhë katërvjeçare janë dyfishuar. Kështu, nëse në vitin 2020 u importuan rreth 6.500 ton mish, në vitin 2024 u importuan plot 13 mijë ton.

Në të gjitha rastet, Shqipëria importon nga ferma të certifikuara nga BE. Por, kjo nuk e përjashton mundësinë që të ketë edhe raste abuzimesh.

“A mund të ndodhë që produktet e importit të mishit të hyjnë të tjetërsuara dhe të mos jenë pjesë e licencimit të BE? Po, mund të ndodhë”, u shpreh Kapllan Sulaj, Dekan i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, UBT.

Çfarë rreziqesh i kanosen një personi nëse infektohet me salmonelë?

Salmonela është një infeksion bakterial që shkakton diarre, ethe dhe dhimbje stomaku. Në disa raste mund të zhvillojë komplikime të rënda për shëndetin, deri në rrezik për jetën.

“Salmonelat janë baktere patogjene që kërcënojnë direkt jetën e konsumatorit. Varet nga infeksioni, nga lloji i shtameve mund të kërcënojnë në nivele të ndryshme, që nga nivelet e thjeshta deri te ato më të komplikuara që mund të shoqërohen edhe me vdekje”, u shpreh Kapllan Sulaj, Dekan i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, UBT.

Salmonelat transmetohen nga kafshët, shpendët kryesisht, por edhe nga njerëzit. Në krye të listës qëndron konsumimi i mishit të papërpunuar ose të papjekur, konsumimi i vezëve apo qumështit që nuk ka kaluar në pasterizim. Alarmi i kuq ndizet edhe për faktin se salmonela është ngjitëse. Në mjaft raste qëndron e fshehur.

“Ne duhet të dimë që kemi një numër të madh të fluksit të turistëve, që mund të jenë bartës të salmonelave, pra mund të jetë burim kafshët, por edhe njerëzit që, duke kontaminuar produktet, sipërfaqet”, u shpreh Kapllan Sulaj, Dekan i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, UBT.

Rastet e shpeshta me salmonelë dëshmojnë se, pavarësisht detyrimeve ligjore, institucionet kanë dështuar të garantojnë sigurinë ushqimore në të gjitha hallkat e zinxhirit të kontrollit.

“Zinxhiri i kontrollit të sigurisë ushqimore mund të çedojë në një nga hallkat, por mund të çedojë edhe në të gjitha hallkat e tij, u shpreh Ana Vuksana, eksperte e sigurisë ushqimore.

ABC-ja e sigurisë ushqimore është gjurmueshmëria, një proces që shërben për të garantuar rrugën që ka përshkruar një produkt “nga ferma në tavolinë”. Të dhënat e konfirmuara dhe intervistat me ekspertë flasin për një realitet të përmbysur, shumë larg garantimit të sigurisë.

“Cirkët eksperimentale me ngritje dhe shuarje të institucioneve e kanë bërë sigurinë ushqimore, duke e ekspozuar ndaj rreziqeve apo ndaj abuzimeve, të cilët shfrytëzojnë këto boshllëqe dhe abuzojnë me produktet që hedhin në treg”, u shpreh Ervin Resuli, ekspert i sigurisë ushqimore.

Problemi i ushqimeve bëhet më i mprehtë kur vjen puna te produktet me bazë shtazore, siç është mishi, vezët apo qumështi, të cilët kanë protokolle më të rrepta sigurie.

Për ekspertët, një nga dobësitë më të mëdha është zinxhiri i shkëputur i kontrollit, i cili është i fragmentuar. Si pasojë, institucionet bëjnë “ping-pong” kur vjen puna për të mbajtur përgjegjësi.

Ngërçi i parë nis që nga pikat e inspektimit kufitar, ku mungesa e ambienteve frigoriferike të standardizuara cenon çdo protokoll që lidhet me sigurinë e produkteve.

“Porti i Durrësit sot nuk ka ambiente frigoriferike që do të mundësonin marrjen e mostrës në kushtet e duhura sipas standardeve. Që do të thotë se të gjithë mishrat e grirë vijnë në -18 gradë, që do të thotë se kjo temperaturë do të zbresë, qoftë edhe me 1 gradë, dhe kjo ngarkesë mund të kontaminohet me patogjenë të ndryshëm”, u shpreh Ana Vuksana, eksperte e sigurisë ushqimore.

Edhe Granit Sokolaj, që drejton një organizatë që merret me sigurinë ushqimore, thotë se situata është veçanërisht shqetësuese në portin e Durrësit. Sipas tij, në mjaft raste, kamionët frigoriferikë që importojnë mish iu nënshtrohen kontrolleve për drogë apo ngarkesa të tjera të paligjshme. Por, mënyra se si policia i hap nuk është e denjë për sigurinë ushqimore.

Kjo konsiderohet një praktikë e rrezikshme, që shpërfill çdo parim të sigurisë ushqimore. Për më tepër, dëshmon për një moskoordinim ndërinstitucional dhe mungesë profesionalizmi.

“Kur kontejnerët janë në ngrirje kalojnë në skaner për drogë. Herë pas here skaneri nxjerr disa pika të kuqe që presupozon se mund të jetë drogë apo armë dhe duhet të hapen. Kur hapen, rezultojnë topa të ndryshëm akulli, sepse ai mund të jetë 1-2 muaj për të mbërritur”, u shpreh Granit Sokolaj, ekspert i sigurisë ushqimore.

Kjo është një praktikë që ndiqet vetëm në Shqipëri në këtë formë. Ekspertët sugjerojnë që AKU dhe Ministria e Bujqësisë duhet të marrin masa për të shmangur risqet e kontaminimit.

“Policia hap një produkt që duhet të rrijë në -18 gradë, e hap në 40 gradë, e hap pa asnjë kusht higjieno-sanitar, fut qentë për kontroll dhe këtu është cenuar siguria ushqimore”, u shpreh Granit Sokolaj.

Gjatë kontrollit në doganë ka dy procedura: kontrolli fizik, që nënkupton kontrollin fizik të mjetit, të ngarkesës apo të dokumentacionit, dhe më pas është kontrolli analitik. Pikërisht këtë proces ekspertët sugjerojnë të kryhet diku tjetër, duke ruajtur të gjitha veçoritë e identitetit të ngarkesës.

“Kontejnerët nuk duhet të hapen aty, por në magazinat frigoriferike ose në magazinat e importuesit. Gjurmohet me polici, çohet në magazina dhe aty hapet. Mishi futet në dhoma frigoriferike, në mënyrë që mishi që vjen te ne të mos jetë i kontaminuar”, tha Sokolaj.

Për Ervin Resulin, i cili thotë se situata ka ndryshuar vitin e fundit në portin e Durrësit, në shumë raste janë vetë institucionet që e komplikojnë situatën.

“Para një viti është ndërtuar një pikë frigoriferike në portin e Durrësit sepse vetë institucionet shtetërore i hapnin kontejnerët në sheshin e portit, në temperaturë me 40 gradë dhe bënin mostërimin… që do të thotë se vetë institucionet e komplikojnë situatën dhe i vendosin edhe në konflikt me operatorët e biznesit”, u shpreh Ervin Resuli, ekspert i sigurisë ushqimore.

Për Ana Vuksanën, ish-drejtuese e AKU-së, edhe nëse kamionët kontrollohen në ambientet e subjektit konkret, sërish zinxhiri është i shkëputur dhe çedon. Sipas saj, inspektorët e AKU-së nuk kanë pajisje të sigurta për transportimin e mostrave drejt laboratorit të ISUV.

“Problemi edhe më i rëndë është fakti se inspektori, për ta çuar në ISUV ku edhe bëhen analizat, nuk arrin të sigurojë regjimin termik të duhur, pra -18 gradë, sepse inspektori e merr me ato frigobokset që ne shkojmë në plazh”, u shpreh Ana Vuksana, eksperte e sigurisë ushqimore.

Ekspertët këmbëngulin se mosfunksionimi i kësaj hallke vë në pikëpyetje edhe rezultatin e analizave që mund t’i nënshtrohet kjo ngarkesë.

“Sado i akredituar të jetë laboratori apo analizat, në momentin që çedon që në mostër, detyrimisht kjo kompromenton edhe analizat”, u shpreh Ana Vuksana.

E gjithë kjo procedurë ka një tjetër problematikë. Për shkak të mungesës së pajisjeve të duhura, nuk garantohet anonimati i mostrës që çohet për analizë. Kjo mund të kompromentojë procesin.

“Problem tjetër është ruajtja e anonimatit të mostrës, pasi inspektorët nuk kanë plumbçet që ajo të mbyllet pas marrjes së mostrës, çka mund të cënojë edhe mostrën dhe cilësinë e analizës”, u shpreh Vuksana.

 

Top Channel