Këto janë pamjet e sherrit masiv të ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në Bilisht.

Në video duket momenti kur personat, përfshirë Trajan Çelikun, sulmojnë për herë të dytë, 39 vjeçarin Guri Mazelliu, duke i bërë pritë në afërsi të qendrës së qytetit të Bilishtit.

Siç duket dhe nga pamjet, ata mbajnë në dorë shkopa bejsbolli dhe sulen drejt mjetit të Mazelliut.

Shkak i sherrit dyshohet se janë pazaret e kontrabandës.

Tre persona kanë goditur dhe dhunuar me sende të forta një shtetas duke i shkaktuar dëmtime në trup. Nga ana tjetër, pas sulmit, i dëmtuari ka nxjerrë thikën dhe ka goditur njërin prej dhunuesve. Burime bëjnë me dije se Trajan Çeliku, i njohur nga policia si person problematik, së bashku me dy persona të tjerë, kanë dhunuar një 39 vjeçar me inicialet G.M.

Konflikti ka nisur verbalisht e më pas ka përfunduar në përdorimin e sendeve të forta. Trajan Çeliku u konfliktua me 39 vjeçarin paraditen e sotme, e më pas, ka shkuar sërish për ta takuar me dy persona të tjerë. Gjatë sherrit, 39 vjeçari e ka goditur me thikë pas sulmit të personave. Mësohet se pas mjekimit në spital, të gjithë janë shoqëruar në komisariatin e Devollit ku do të merren në pyetje e do të zbardhet gjithë dinamika e ngjarjes.

Top Channel