Aktori fitues i çmimeve Oscar dhe BAFTA, Gary Oldman, u dekorua me çmimin kalorës për kontributin e tij të gjatë dhe të larmishëm në film dhe teatër.

Ceremonia zyrtare u zhvillua në Kështjellën Windsor, si pjesë e Nderimeve të Ditëlindjes së Mbretit, ku Gary Oldman u nderua personalisht nga Princi William.

Pas çmimit, aktori i famshëm u shpreh “shumë i prekur” dhe theksoi veçantinë e këtij dallimi: Ishte prekëse. Shumë prekëse. Folëm për një minutë, por mezi e gjeta zërin tim. Ndihem shumë i nderuar, i respektuar. Është ndryshe nga çdo gjë tjetër. Është një ngjarje unike. Mendova se Oscar ishte diçka e madhe. Pa dashur ta nënvlerësoj Akademinë, por kjo zbehet në krahasim me këtë nder. Ishte vërtet e mrekullueshme”.

Lidhur me bisedën e tij me princin, sipas britanikes Hello!, Gary Oldman zbuloi: “Isha shumë i lumtur që ishte ai që më dha titullin. Ai është një fans i ‘Slow Horses’.”

I njohur për aftësinë e tij për të portretizuar një gamë të gjerë personazhesh, Gary Oldman ka lënë gjurmë me performanca që variojnë nga ish-kryeministri Sir Winston Churchill deri te punk rockeri Sid Vicious. Kohët e fundit, ai bëri përshtypje si agjenti i ashpër i MI5, Jackson Lam, në serialin e Apple TV, Slow Horses, bazuar në librat e Mick Heron.

Filmografia e tij e shquar përfshin gjithashtu rolin e Lee Harvey Oswald në filmin JFK (1991) të Oliver Stone dhe Drakulën e famshme në filmin Bram Stoker’s Dracula (1992) të Francis Ford Coppola. Në vitin 1997, ai bëri debutimin e tij si regjisor me filmin gjysmë-autobiografik Nil By Mouth, i cili bazohet në fëmijërinë e tij të vështirë, dhe fitoi dy çmime BAFTA në vitin 1998.

Për performancën e tij në Tinker Tailor Soldier Spy (2011), ai mori nominimin e tij të parë për Oscar për Aktorin më të Mirë, ndërsa fitoi statujën e tij të parë me filmin The Darkest Hour, i cili fitoi sezonin e çmimeve 2018.

Gjithashtu, në të njëjtën ceremoni çmimesh u nderuan aktorja fituese e çmimit BAFTA, Samantha Morton dhe Rachel Daly, një anëtare e ekipit kombëtar të futbollit të Anglisë që fitoi Euro 2022, sipas Independent.

Top Channel