
Qeveria me firmën e sekretarit të përgjithshëm, Engjëll Agaçi paraditen e kësaj të marte njoftoi presidentin Bajram Begaj për vakancat e krijuara në 6 bashki, me në krye Tiranën, duke çuar kështu përpara mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme të parakohshme.
“Këshilli Ministrave është vënë në dijeni për krijimin e vakancave për kryetar në disa bashki të vendit, përkatësisht bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Tepelenë, Mat dhe Cërrik e si rrjedhim kërkohet caktimi i datës së zgjedhjeve të pjesshme për kryetar në këto bashki brenda afateve që përcakton ligji zgjedhor”, deklaron Këshilli i Ministrave.
Konstitucionalisti Bledar Dervishaj në emision Shqipëria Live në Top Channel fillimisht, shpjegoi kohën se kur presidenti do të duhet t’i përgjigjet me dekret njoftimit të qeverisë.
“Do duhet që brenda 48 orëve nga marrja e këtij njoftimi, ai të shprehet me dekret për caktimin e datës së zgjedhjeve”, u shpreh Dervishaj.
Por dekretimi nga presidenti merr një komplikim ligjor me karakter kushtetues pasi kryetari i shkarkuar i bashkisë Tiranë Erion Veliaj tashmë e ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë për shkarkimin e tij.
Disa orë pasi u mësua kërkesa e qeverisë drejt presidencës, Gjykata Kushtetuese u kujdes të sqarojë pozicionin e saj duke deklaruar se:
“Përgjigja e vetme që Gjykata Kushtetuese ka dhënë në lidhje me çështjen me nr. 28(E) Regjistri Themeltar, datë 29.09.2025, është se Gjykata ka bërë publikimin e regjistrimit të kërkesës. Shpallja është e barasvlershme me njoftimin publik”, deklaroi Gjykata Kushtetuese.
Avokatët e Erion Veliaj u ankimuan në kushtetuese bazuar në Nenin 115 të kushtetutës ku parashikohet se:
“Organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse vendore mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve. Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet.”
Sipas juristit Dervishaj pika dy e këtij neni e ndalon presidentin të dekretojë zgjedhjet në Tiranë.
“Caktimi i datës së zgjedhjeve do të bëhet vetëm pasi ju të keni marrë një informacion në Gjykatën Kushtetuese dhe ata ta japin brenda orës, që ka një ankim dhe nëse po, një kopje të tij. Dhe caktimin e datës së zgjedhjeve për ato vakanca që nuk kemi proces ankimor në Gjykatën Kushtetuese. Pjesën tjetër e rregullon kodi zgjedhor, aq mirë dhe afatet se kur përfundon shqyrtimi i saj”, tha Dervishaj.
Pritshmëritë janë që presidenti Bajram Begaj të dekretojë zgjedhjet në të gjashta bashkitë përfshi edhe Tiranën, pasi relacioni i dërguar nga qeveria për shkarkimin e Veliajt nuk lidhet me pikën e parë të nenit 115 të kushtetutës kur një i zgjedhur shkarkohet për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve por se zoti Veliaj u shkarkua bazuar ligjin për pushtetin vendor ku thuhet se nëse një i zgjedhur mungon 90 ditë këshilli bashkiak propozon shkarkimin.
Top Channel