
Në datat 3, 4 dhe 5 tetor, qyteti historik i Beratit do të shndërrohet në një pikëtakim të dashamirësve të verës, muzikës dhe traditës, përmes festivalit “Wine & Stories”, një aktivitet që premton netë magjike në qytetin e ‘një mbi një dritareve’.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ftoi qytetarët të bëhen pjesë e kësaj feste unike. “Miqtë e verës dhe muzikës i presin tri netë magjike në Festivalin e Verës ‘Wine & Stories’, në Berat. Aty ku vera jo vetëm prodhohet, por edhe shijohet”, shkruan Rama në Facebook, duke e shoqëruar njoftimin me datat e festivalit dhe simbole të verës.
Eventi pritet të mbledhë prodhues verërash nga e gjithë Shqipëria, artistë të njohur të muzikës live, si dhe vizitorë vendas dhe të huaj që do të shijojnë përvojën e veçantë kulturore dhe kulinare që ofron Berati.
Ky festival jo vetëm që promovon verën shqiptare dhe trashëgiminë kulturore të qytetit, por synon të forcojë më tej turizmin elitar dhe agroturizmin në një nga destinacionet më të veçanta të vendit.
Top Channel