U shpall fajtor për prostitucion, prokurorët kërkojnë dënim maksimal për Diddyn/ Ja sa vite rrezikon producenti i njohur

30/09/2025 20:58

Sean “Diddy” Combs mund të përballet me një dënim deri në 11 vjet e tre muaj burg, pasi prokurorët federalë i kërkuan gjyqtarit të martën të vendosë këtë masë pas shpalljes së tij fajtor këtë verë për dy akuza për transportim me qëllim prostitucioni.

Rekomandimi i dënimit erdhi pak pas mesnatës dhe vetëm disa ditë para se Combs të dënohej, gjë që është planifikuar të premten. Në korrik, ai u shpall fajtor nga një juri federale, ndërsa u lirua nga akuzat më të rënda për trafikim seksual dhe komplot shantazhi.

Në memorandumin e tyre, prokurorët kërkojnë gjithashtu një gjobë prej 500,000 dollarësh, duke theksuar se krimet e tij janë serioze dhe kanë justifikuar dënime mbi 10 vjet për të pandehurit që përdorin dhunën dhe frikën për të kontrolluar të tjerët. Ata shtuan se Combs nuk ka shfaqur pendesë për veprimet e tij.

Gjatë gjyqit, prokurorët e akuzuan artistin për përdorimin e famës, pasurisë dhe ndikimit të tij për të detyruar dy ish-të dashurat e tij të merrnin pjesë në takime seksuale të orkestruara nga droga dhe eskorta meshkuj. Mbrojtja ka mohuar trafikimin dhe shtrëngimin, duke deklaruar se aktiviteti ishte konsensual dhe pjesë e një “stili jetese midis çifteve që shkëmbenin partnerë”.

Combs është mbajtur në burg federal në Bruklin që nga arrestimi i tij në shtator 2024. Avokatët e tij kërkuan një dënim më të lehtë, jo më shumë se 14 muaj, duke marrë parasysh kohën e kaluar në burg dhe rehabilitimin e tij gjatë këtij periudhe.

Sipas CNN, departamenti i lirimit me kusht në SHBA ka rekomanduar një dënim prej pesë deri në shtatë vjet burg.

Në dokumentet e dërguara gjykatës, prokurorët theksuan se Combs përpiqet të “riinterpretojë dekadat e abuzimit thjesht si marrëdhënie të ndërsjella toksike” dhe se ai “nuk është viktima”. Ata kërkuan që gjykata të marrë parasysh ndikimin e tij të drejtpërdrejtë mbi viktimat.

Mes letrave të dorëzuara ishte edhe ajo e Casandra “Cassie” Ventura, ish e dashura e Combs, e cila dëshmoi për marrëdhënien dhjetëvjeçare që sipas saj ishte e shënuar nga abuzimi fizik dhe emocional. Në letrën e saj drejtuar gjyqtarit, Ventura kërkoi që dënimi i Combs të reflektojë përvojën e saj si viktimë dhe të marrë parasysh makthet dhe nevojën për kujdes psikologjik që ajo vazhdon të ketë.

“Nëse ai lirohet, veprimet e tij të para do të jenë hakmarrje ndaj meje dhe të tjerëve që folën për abuzimin e tij në gjyq,” shkruan Ventura. “Shpresoj që vendimi juaj të marrë në konsideratë të vërtetat që juria nuk arriti t’i shihte.”

Dënimi i Combs pritet të shpallet këtë të premte, duke vënë një pikë të rëndësishme në një nga rastet më të ndjekura të një artisti të famshëm në SHBA.

Top Channel