Sean “Diddy” Combs në pritje të vendimit të gjykatës/ Do të dënohet me burg apo do të lirohet?

30/09/2025 16:39

Gati tre muaj pas përfundimit të gjyqit të tij, reperi i njohur Sean “Diddy” Combs, 55 vjeç, pritet të mësojë këtë të premte vendimin përfundimtar të gjykatës.

Combs u arrestua shtatorin e kaluar në një hotel në Manhattan dhe u përball në maj me një proces gjyqësor për akuza që shtrihen në më shumë se tre dekada.

Ai akuzohej për trafikim qeniesh njerëzore, shantazh dhe transportim për qëllime prostitucioni.

Pas një gjyqi shtatëjavor, juria në korrik e shpalli fajtor për dy akuza për transportim me qëllim prostitucioni, në shkelje të Aktit Mann – një ligj federal që ndalon transportimin e personave përtej kufijve shtetërorë për aktivitet seksual të paligjshëm, edhe me pëlqimin e tyre. Megjithatë, ai u lirua nga akuzat më të rënda për trafikim dhe shantazh.

Çdo akuzë ndaj tij mbart deri në 10 vite burg, çka e ekspozon Combs ndaj një dënimi maksimal prej 20 vitesh.

Prokurorët kanë kërkuar të paktën 4 deri në 5 vite, ndërsa mbrojtja kërkon jo më shumë se 14 muaj, duke theksuar se ai tashmë ka kaluar mbi një vit në paraburgim dhe se karriera e tij është shkatërruar.

Vendimi do të shpallet më 3 tetor, ku pritet të përcaktohet nëse Diddy do të përballet me një dënim më të gjatë apo një lirim pothuajse të menjëhershëm. /TAR

Top Channel