
Ndërhyrja me forcë e dy të rinjve brenda sallës ku po mbahej mbledhja e këshillit bashkiak të Vlorës një ditë më parë, tregoi revoltën për mosveprimin e institucioneve.
Të zvarritur dhe sorollatur prej 5 vitesh, në pritje për tu dëmshpërblyer për banesën e shembur, David Dano treguan për Top Channel arsyet e protestës së tyre.
“Nuk mund të jetohet në këtë kasolle, pasi ne nuk kemi marrë dëmshpërblim për banesën e prishur. Ndaj edhe unë hyra në këshill, pasi ai këshill është mbledhur për të drejtat e qytetarëve. Kam pesë vite, dhe shumë kam duruar dhe të gjithë të ngrihen dhe të kërkojnë të drejtat e tyre. Pa fund jam sorollatur dyerve dhe asnjë përgjigje të saktë nuk ka marrë . Nuk kemi kundërshtim për rregullimin e qytetit dhe zhvillimin, por nuk duhet të rinë qytetarët rrugëve”, u shpreh David Dano.
I riu bashkë me të atin dhe motrën jetojnë në një shtëpi të rrënuar, e cila sipas familjes mund të shembet nga momenti në moment.
“Ne jetojmë në këto baraka sot, pasi shteti nuk funksionon. Veprimi që djali im bëri dje është human, nuk u ofendua njeri, ndërkohë që unë jam i ofenduar nga shteti pasi nuk po marr asnjë zgjidhje”, u shpreh Jaho Dano, babai i Davidit.
Prishja e banesës së familjes Dano i hapi rrugë bashkë me të tjera zhvillimit te portit te Vlorës. Por nga ajo kohë familja pret dëmshmërblimin, ndonëse ka plotësuar të gjithë dokumentiacionin e kërkuar.
Bashkia e Vlorës thotë se e ka dërguar dosjen për likuidim në Agjencinë Shtetërore të Shpronësimeve, e cila më pas ia ka kaluar Ministrisë së Ekonomisë. Kjo e fundit e ka përcjellë në Ministrinë e Financave, e cila ia ka dërguar Drejtorisë së Thesarit, dhe Thesari duhet të depozitojnë në llogarinë e subjekteve në bankë, shumën prej 12 milionë lekësh të vjetra të dëmshpërblimit.
Ky proces burokratik, që duket se nuk mbaron kurrë, ka sjellë revoltën dhe zemërimin e familjarëve Dano, të cilët pretendojnë se u është mohuar e drejta.
Top Channel