Orët e fundit në prag të mbylljes së qeverisë në SHBA, zv.Presidenti JD Vance: Shpresoj që demokratët të ndërrojnë mendje

30/09/2025 08:34

Zëvendëspresidenti JD Vance tha hapur se ai beson se një mbyllje e qeverisë do të ndodhë, pasi ngecja vazhdon mbi mënyrën se si të vazhdohet financimi.

“Mendoj se po shkojmë drejt një mbylljeje, sepse demokratët nuk po bëjnë gjënë e duhur. Shpresoj të ndryshojnë mendje, por do ta shohim,” tha Vance në hyrje të Shtëpisë së Bardhë pas një takimi mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësve të Kongresit.

Vance ia vuri fajin demokratëve për kërkesat e tyre që të negociohet mbi financimin e kujdesit shëndetësor në këmbim të mbajtjes hapur të qeverisë.

“Nëse duan të flasim për mënyrën se si të rregullojmë politikat e kujdesit shëndetësor amerikan, le ta bëjmë,” tha ai, duke shtuar më vonë: “Le të punojmë bashkë për këtë dhe ta bëjmë në kuadrin e një qeverie të hapur që ofron shërbime thelbësore për popullin amerikan.”

“Fakti që ata refuzojnë ta bëjnë këtë tregon se sa e paarsyeshme është pozita e tyre,” tha ai.
Qeveria federale mund të mbyllet duke filluar nga 1 tetori nëse Kongresi nuk miraton një projektligj për shpenzimet federale deri në fund të këtij muaji. Ndërsa shërbimet thelbësore do të vazhdojnë, shumë veprimtari qeveritare do të ndalen. Gjithashtu, shumë punonjës federalë nuk do të paguhen deri sa të marrë fund kjo ngecje.

Pikat kryesore të përplasjeve mes republikanëve dhe demokratëve
“Clean” vs “Policy riders”

Republikanët duan një ligj që vazhdon financimin në shëndetësi pa shtuar masa politike të reja. Demokratët nuk duan që të miratojnë fonde që do të çojnë në shkurtime apo ndryshime në shëndetësi pa përfshirje të tyre.
Subvencionet e sigurimeve shëndetësore (ACA)
Kjo është një çështje kyçe për demokratët — nëse ato lihen të skadojnë, shumë njerëz mund të përballen me çmime më të larta sigurimi.

Shkurtime në Medicaid / shkurtime në shërbime shëndetësore
Demokratët duan që këto shkurtime të tërhiqen ose të mos lejohen të zbatohen si pjesë e ligjit të fondeve emergjente.
Përdorimi i mbylljes si presion politik
Secila palë akuzon tjetrën se përdor kërcënimin e mbylljes për të fituar terren politik.

Numri i votave në Senat
Edhe nëse rezoluta “clean” kalon në Dhomën e Përfaqësuesve, ajo duhet të marr më shumë vota në Senat – ku republikanët kanë vetëm shumicë të ngushtë dhe kanë nevojë për disa demokratë për të kaluar çdo zgjatues

Top Channel