
Është mbajtur mbledhja e përgjithshme e Gjyqtarëve të Lartë, e thirrur në orën 09:00 nga Sokol Sadushi.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha bën me dije se në konkurrimin për Gjykatën Kushtetuese ishin disa kandidatë, të cilët janë renditur me pikë, ku pikët më të larta i ka marrë gjyqtari Asim Vokshi.
Kështu Vokshi nga gjyqtar i Gjykatës së Lartë, tashmë zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Njoftimi zyrtar i Gjykatës së Lartë:
Në ambientet e Gjykatës së Lartë, u zhvillua Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të kësaj gjykate, me qëllim zhvillimin e procedurës së votimit për zgjedhjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.
Procesi u zhvillua në përputhje me parashikimet e Kushtetutës, ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, si dhe Rregullores së miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Në përfundim të votimit, komisioni pasi verifikoi vlefshmërinë dhe numrin total të votave për secilin kandidat, konstatoi se:
z. Asim Vokshi – 6 vota
zj. Naureda Llagami – 8 vota
z. Florian Ballhysa – 0 vota
Komisioni kontatoi gjithashtu edhe një fletë votimi të pavlefshme. Në kushtet kur parashikimet ligjore përcaktojnë se shpallet fitues kandidati që merr 3/5 e votave të pjesëmarrësve, dhe në rastin e votimit të sotëm ku asnjë nga kandidatët nuk e arriti këtë prag, komisioni shpall fitues kandidatin e renditur të parin nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Në këto kushte, z. Asim Vokshi zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi për zgjedhjen e z. Vokshi i komunikohet menjëherë Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe do të publikohet në Qendrën e Publikimeve Zyrtare.
Top Channel