
Dita e sotme shënon edhe fundin e afatit për masën e përkohshme që Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori në 5 shtator duke ua ndaluar deputetëve të ndërmerrnin veprime dhe të zhvillonin ndonjë procedurë për formimin e qeverisë së re të vendit për shkak të dyshimeve për shkelje kushtetuese.
Shkak i lëvizjes së saj u bë hedhja ndaras në votim e kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga komunitetet pakicë. Lista Serbe u ankua pranë Gjykatës në fjalë për hapin e hedhur nga kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i cili, më vonë, e shpalli organin ligjvënës të konstituuar, pavarësisht moszgjidhjes së nënkryetarit nga minoriteti serb.
Si mund ta gjykojë Kushtetuesja çështjen në vijim? Zahir Çerkini, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, i tha Radio Evropa e Lirë se Kushtetuesja është mbështetur gjithmonë në praktikën e konstituimit të Kuvendit.
Ai mendon se Gjykata do “të konstatojë se shkelja e vetme ka qenë ndarja e votimit të nënkryetarëve, pasi praktika e deritanishme kërkon zgjedhjen e tyre së bashku”. Çerkini nuk pret “që Gjykata të merret me çështje politike, siç është diskutimi se kush duhet të jetë nënkryetar nga komuniteti serb.Një gjë e tillë nuk është përgjegjësi e saj. Roli i Gjykatës është vetëm të garantojë respektimin e Kushtetutës dhe të procedurës”.
Lëvizja Vetëvendosje fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka pritshmëri të tjera. Ajo pret që Kuvendi të konfirmohet si i konstituuar, me arsyetimin se kreu i tij i ka respektuar dhe ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara me Kushtetutë, jurisprudencën e Gjykatës dhe Rregulloren e Parlamentit.
Për LVV-në, përfaqësuesja e pakicave joserbe, Emilija Rexhepi, e cila u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, u votua “në mënyrë të rregullt dhe nuk ka drejtë askush t’ia marrë këtë të drejtë grupit multietnik”.
Top Channel