Kërkoi një mijë euro për të mos hequr tendën e lokalit, lihet në burg inspektori i IMT, Apeli i GJKKO i rrëzon ankimimin

30/09/2025 11:57

Apeli i GJKKO ka lënë në burg inspektorin e IMT, Klajdi Zhilla, duke rrëzuar ankimimin e tij.

Gjykata e Tiranës ka caktuar më parë masën e sigurisë “arrest me burg” për Zhillë, pasi dyshohet se i ka kërkuar një biznesmeni në zonën e Kombinatit shumën prej 1 mijë eurosh për të mos kryer veprimet ligjore lidhur me tendën e lokalit që kishte zënë hapësirën publike.

Njoftimi i GJKKO:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më 30.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 67 akti, datë 22.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim Klajdi Zhilla, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 89, datë 01.09.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale” dhe vendosi:

– Miratimin e Vendimit nr. 89, datë 01.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
– Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
U shpall në Tiranë, me datë 30.09.2025.

Top Channel