
Ministrja e re e Arsimit, Mirela Kumbaro, është takuar këtë të martë me drejtorët e shkollave të qarkut të Tiranës.
Top Channel mëson se takimi u mbajt në orën 12:30.
Në mbledhje me ta, ministrja prezantoi edhe drejtoreshën e komanduar të arsimit parauniversitar, mësuesen e anglishtes që ishte zv.drejtore e Akap, Irida Shulku, e cila merr postin pas largimit të Rezarta Allës prej konfliktit të interesit me tekstet shkollore.
Por në krah të Kumbaros, paradoksalisht qëndron zv.ministrja Orjana Osmani e cila ka firmosur për vetë emrin e saj si autore në tekstin e letërsisë së klasës të 11 të një prej shtëpive botuese, duke shkelur ligjin e parandalimit të konfliktit të interesit.
Në foton e siguruar nga Top Channel, është edhe kryetarja e drejtorisë rajonale arsimore të qarkut të Tiranës si dhe drejtoresha e shkollës Servete Maçi, ku u zhvillua takimi.
Top Channel