
Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses një tjetër operacion për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në kuadër të operacionit të koduar “Arachne”, është arrestuar shtetasja Edisnarda (alias Edisnajda) Shapka, 46 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Apelit të Bolonjës në Itali me 13 vite e 6 muaj burg për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Aksioni është rezultat i bashkëpunimit mes strukturave të Policisë së Durrësit dhe institucioneve ligjzbatuese italiane.
Njoftimi i policise
Finalizohet operacioni policor i koduar “Arachne”. Kapet dhe vihet në pranga një 46-vjeçare e dënuar nga Gjykata e Apelit e Bolonjas, Itali, me 13 vjet e 6 muaj burgim, për trafikim të narkotikëve, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për lokalizimin dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, kanë finalizuar një tjetër operacion për këtë qëllim.
Bazuar në informacionet e marra, në kuadër të operacionit të koduar “Arachne”, u bë lokalizimi dhe arrestimi i shtetases në kërkim, Edisnarda (alias Edisnajda) Shapka, 46 vjeçe, banuese në Durrës.
Gjykata e Shkallës e Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 169, datë 27.09.2025, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për këtë shtetase, në funksion të njohjes dhe ekzekutimit të vendimit penal të Gjykatës së Apelit të Bolonjas, Itali, të vitit 2020, mbi bazën e të cilit është dënuar shtetasja Edisnarda (alias Edisnajda) Shapka, me 13 vjet e 6 muaj burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Top Channel