
Sinisha Karan do të jetë kandidat i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur në zgjedhjet e parakohshme për president të Republikës Sërpska në Bosnje-Hercegovinë, ka konfirmuar kryetari i partisë, Millorad Dodik.
Dodiku, ish-president i këtij entiteti serb në Bosnje, i ka thënë Radio-Televizionit RS se do ta propozojnë Karanin para partnerëve të koalicionit.
Karan është në listën e zezë të Departamentit amerikan të Thesarit, për pjesëmarrje në organizimin dhe shënimin e festave jokushtetuese të Republikës Sërpska.
Ai është profesor i çështjeve kushtetuese dhe ministër për Zhvillim Teknologjik dhe Shkencor në Qeverinë jokushteteuse të Republikës Sërpska.
Zgjedhjet e parakohshme janë thirrur për 23 nëntor, pasi Gjykata e Bosnje-Hercegovinës ia ka revokuar mandatin Dodikut, për shkak të një vendimi përfundimtar për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.
Vendimi i Gjykatës ia ka pamundësuar atij mbajtjen e ndonjë pozite publike për gjashtë vjetët e ardhshëm.
Partia e Dodikut pati thënë fillimisht se nuk do të kishte kandidat për zgjedhje, mirëpo më vonë ka vendosur të marrë pjesë në to.
Partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike Serbe, ka thënë se kandidati i saj do të jetë Branko Bllanusha, profesor i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike në Banjallukë. /rel
Top Channel