COVID, shqiptarët ndikohen nga Trump/ Rezultojnë mbi 500 të infektuar çdo javë, shumica nuk kryejnë më teste

30/09/2025 20:15

Në Shqipëri po qarkullon masivisht COVID-19. Në Institutin e Shëndetit Publik raportohen 500 raste çdo javë, por shqiptarët nuk testohen mjaftueshëm.

Shifra e të prekurve është më e madhe, gjë që duket tek mungesat e nxënësve në shkolla dhe qytetarëve në punë.

Kur vjen puna tek vaksinimi, qytetarët tregohen skeptikë, ndikuar edhe nga deklaratat e Trump; ata shkojnë të vaksinohen për grip, por e kundërta ndodh me vaksinën e COVID-it, ku hezitojnë.

Ekspertja e ISHP, Rovena Daja thotë: “Kemi shumë raste COVID që dalin pozitiv për aq teste sa kryhen. Nuk po testohen më. Grip nuk kemi kapur ende.”

Shqipëria ka siguruar 280 mijë doza të vaksinës anti-grip, që përmban shtame kundër virusit A dhe B, dhe po ashtu është siguruar sasi e konsiderueshme e vaksinës anti-COVID për nënvariante të reja të Omicron. Por janë shumë të pakët personat që e aplikojnë, vetëm kur kanë rekomandim nga mjeku.

“Janë vetëm ata që janë me kimioterapi apo me imunitet të rënë dhe që kanë një rekomandim nga mjeku për ta bërë, pasi kanë pasur COVID dhe ka pasur edhe të shtruar në spital”, shton Daja.

Vetëm në javën e parë është aplikuar një e treta e sasisë së vaksinave të gripit, gati 60 mijë doza. Është koha e aplikimit, e cila i duhet trupit për të krijuar imunitet, i cili mbron për një periudhë 6-mujore.

Top Channel