Tronditje në Gjermani, akrobatja bie nga trapezi dhe humb jetën gjatë një shfaqjeje cirku përpara spektatorëve

29/09/2025 09:33

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në një shfaqje cirku në Gjermani, ku një akrobate spanjolle humbi jetën përpara dhjetëra spektatorëve, mes tyre edhe fëmijë.

Marina B., 27 vjeçe, nga ishulli spanjoll Mallorca, humbi jetën pasi ra nga një lartësi prej pesë metrash gjatë një performance solo në trapez, në çadrën e Circus Paul Busch, në qytetin Bautzen, në lindje të Gjermanisë.

Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën pasdite, rreth orës 17:45, përpara rreth 100 spektatorëve, shumë prej të cilëve ishin familje me fëmijë.

Sipas dëshmitarëve, publiku shpërtheu në britma teksa Marina ra në dysheme, ndërsa prindërit mbulonin sytë e fëmijëve të tyre. Disa të pranishëm u larguan menjëherë nga çadra e cirkut, të tronditur nga ajo që panë.

Stafi i cirkut dhe emergjencat mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, por Marina ndërroi jetë në vend si pasojë e plagëve të marra.

Një punonjës i cirkut tha për gazetën gjermane Bild: “Nuk mund ta besojmë që kjo ndodhi.”

Policia gjermane konfirmoi se Marina nuk kishte përdorur litar sigurie, por theksoi se sipas rregullave, nuk ishte e detyruar ta përdorte.

Zëdhënësi i policisë, Stefan Heiduck, deklaroi: “Ajo vendos vetë nëse do ta përdorë apo jo. Askush tjetër nuk ishte në pistë gjatë aksidentit.”

Ralf Huppertz, kreu i Shoqatës Gjermane të Cirqeve, u shpreh se është e pazakontë që një artiste kaq e stërvitur të mos mbijetojë nga një rënie prej pesë metrash. Ai tha: “Ndoshta u ndje e trullosur në trapez.”

Menjëherë pas aksidentit, Circus Paul Busch anuloi të gjitha shfaqjet e planifikuara. Një njoftim i vendosur në sportelin e biletave të dielën lexonte: “Për shkak të një humbjeje, cirku do të qëndrojë i mbyllur.”

Pavarësisht moshës së re, Marina kishte mbi 10 vite përvojë në botën e cirkut. Ajo ishte e apasionuar pas artit të akrobacisë dhe shpesh shprehej se çdo shfaqje ishte një mundësi për të ndarë pasionin e saj me publikun.

Në një nga postimet e fundit në Instagram, ajo shkroi poshtë një fotoje teksa fluturonte në ajër: “Lart, unë punoj më mirë. Besoj se arti ka fuqinë të krijojë momente të paharrueshme.”

Pas ndarjes nga jeta, një homazh prekës për të u publikua në rrjetet sociale: “Edhe pse nuk je më këtu, dashuria dhe drita jote do të më udhëheqin çdo ditë. Marina Barcelona.”

Kryetari i bashkisë së Bautzen, Karten Vogt, shprehu keqardhjen e thellë për ngjarjen tragjike.

Ai tha për MDR: “Aksidenti na ka prekur të gjithëve. Në emër të qytetit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të saj.”

Top Channel