
“Queer Film Festival” çel sonte në mbrëmje edicionin e gjashtë, i cili ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë do të shpërndahet në 11 qytete të vendit.
I themeluar nga aktivisti Arbër Kodra, ky është festivali i vetëm që i kushtohet kinemasë dhe zërave LGBTQI+: “Përmes këtij programi të larmishëm filmash, diskutimesh të ndryshme në panele, ne promovojmë empatinë dhe ndryshimin shoqëror nëpërmjet artivizmit”.
Kjo maratonë 2-javor, ka misionin të promovojë diversitetin dhe të drejtat e njeriut përmes fuqisë së artit dhe kinemasë.
Aktivistja për të drejtat e njeriut, Zhaklin Lekatari thotë: “Patjetër që jam shumë emocionuar të jem pjesë e edicionit të gjashtë të këtiij festivali, i cili duke parë edhe atmosferën më duket shumë si një akt rezistence, si një mënyrë shumë e mirë për të treguar që historitë queer, historitë LGBT janë histori që na përkasin të gjithëve, ku të gjithë mund të identifikohemi.”
Artistja Elsa Lila do të jetë kumbara e këtij edicioni: “Jemi të gjithë bashkë këtu për të dhënë disa mesazhe të forta solidaritete, paqeje, mirëkuptimi. Të bëhemi të gjithë bashkë, të kalojmë mbrëmje të bukura kulturore, të përballojmë së bashku emocione të filmave që sjellin tematike shumë të ndjeshme”.
Në programin e pasur të filmave vendas e ndërkombëtarë që do të shfaqen në Kinema Agimi dhe Vila 31, këngëtarja veçon “Djalin me pantallona rozë”, që tregon bullizmin ndaj një adoleshenti.
“Ky djali ishte 15 vjeç dhe shkolla e tij ndodhej përballë shkollës së vajzës sime dhe ne këtë djalë e njihnim. Është shumë ndryshe kur e përjeton nga afër dramën e bullzimit të një adoleshenti, që nuk bën gjë tjetër veçse shpreh seksualitetin e tij duke veshur pantallona rozë. Me këtë ngjarje, diçka ndryshoi përgjithmonë në komunitetin tonë të prindërve. Më jep forcë fakti që këto histori tregohen”, thotë artistja.
Hyrjet në të gjitha ditët e festivalit që do të zgjasë deri në 15 tetor, nga do të jenë të lira për publikun.
Top Channel