Mbrojtësi ligjor i Erion Veliaj kërkesë Këshillit Bashkiak për dokumentacionet e shkarkimit të tij

29/09/2025 09:00

Mbrojtësi ligjor i zotit Erion Veliaj, Alban Dokushi, i ka kërkuar Këshillit Bashkiak t’i vënë në dispozicion dokumentacionin e shkarkimit të Erion Veliajt nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës.

“Në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të zotit Erion Veliaj, duke u mbështetur në nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe bazën ligjore të sipërcituar, kërkoj nga Këshilli Bashkiak i Tiranës të më vërë në dispozicion praktikën e plotë administrative të inicuar për procedurën e shkarkimit të Kryetarit të Bashkisë, zotit Erion Veliaj, duke përfshirë, por duke mos u kufizuar në:

  1. Aktin/aktet e nismës së paraqitur për shkarkim, argumentin ligjor dhe cdo dokumentacion tjeter ku mbështetet kjo kërkesë;
  2. Procesverbalin dhe materialet e komisionit të Cështjeve Ligjore dhe Drejtësisë Sociale
  3. Procesverbalet dhe materialet e mbledhjeve ku është shqyrtuar çështja
  4. Çdo relacion shpjegues apo dokument tjetër që është bërë pjesë e kësaj procedure
  5. Vendimin dhe relacionin shoqërues të tij, së bashku me konfirmimin e Prefektit të Qarkut Tiranë.

Kjo kërkesë bëhet në funksion të garantimit të së drejtës së mbrojtjes ligjore dhe respektimit të procedurave transparente, duke qenë se z. Veliaj është palë e drejtpërdrejtë e prekur nga ky proces.

Për sa më sipër, kërkojmë nga ana juaj që dokumentacioni i kërkuar të na vendoset në dispozicion në një kohë sa më shpejtë. Bashkëlidhur, prokura e përgjithshme e përfaqësimit dhe karta e avokatit”, thuhet në kërkesë.

 

Top Channel