Gjendet drogë dhe një telefon në burgun e Drenovës, dyshohet se i përket të dënuarit përjetë Laert Haxhiu

29/09/2025 13:24

Një telefon dhe lëndë narkotike është gjetur në burgun e Drenovës.

Korrespondentja e Top Channel Dhorjela Çule bën me dije se rreth 1 javë më parë, është ushtruar kontroll në IEVP Drenovë, ku është gjetur një sasi e vogël lënde narkotike canabiss sativa në godinën B të paraburgimit.

Nga ana tjetër, është gjetur edhe një telefon në dhomën e një të dënuari me iniciale Xh.L, në siguri të lartë, telefon i cili dyshohet të jetë i Laert Haxhiut.

Droga dhe telefoni tashmë janë sekuestruar dhe në vijim do të bëhet ekspertimi i këtij të fundit për të parë nëse ka biseda dhe për të konfirmuar nëse i përket të dënuarit Haxhiu.

Ky nuk është rasti i parë që këtij të dënuari i gjenden telefona në ambientet e burgut pasi edhe në muajin qershor u sekuestruan 4 telefona që i përkisnin Haxhiut. Hetimet vijojnë nga prokuroria për zbardhjen e mëtejshme të të gjitha rrethanave, për të zbuluar edhe mënyrën dhe personat e përfshirë në futjen e drogës dhe telefonit në IEVP Drenovë.

Top Channel