
Një burrë britanik ka vrarë gruan e tij në Los Angeles, pasi ata u grindën për shkak të dështimit të saj për të humbur peshën që kishte shtuar gjatë shtatzënisë.
June Bunyan, me origjinë nga Arran, Skoci, ishte zhvendosur në SHBA për të ndjekur ëndrrën e saj për t’u bërë avokate. 37-vjeçarja u vra në shtëpinë e saj një vit pasi kishte hapur firmën e saj ligjore të specializuar në ligjin e imigracionit.
Sipas Daily Mail, gruaja u gjet e vdekur më 11 shtator me plagë thike në qafë. Burri i saj, Jonathan Anthony Renteria, 25 vjeç, u arrestua dhe u akuzua për vrasje dhe gjymtim. Lirimi i tij me kusht u caktua 3.4 milionë euro.
Prokurorët thanë se 25-vjeçari rrëfeu se ai dhe June ishin grindur për “dështimin e saj për të humbur peshë pas shtatzënisë”. Ata thanë se ajo filloi të mblidhte gjërat e saj dhe i tha se nuk do ta linte kurrë më të shihte vajzën e tij.
Sipas të njëjtit informacion, 25-vjeçari rrëfeu se e kishte mbytur gruan. June u pa për herë të fundit gjallë më 4 shtator, ndërsa fqinjët e panë Jonathanin të dilte nga shtëpia me foshnjën të nesërmen.
Disa orë më vonë, 25-vjeçari u pa duke mbajtur qese me mbeturina. Sipas prokurorëve, ai e kishte lënë fëmijën në shtëpinë e prindërve të tij dhe ishte kthyer në shtëpi për të fshehur gjurmët.
“Ai gjithmonë bënte komente për trupin dhe peshën e saj”
Fqinjët thanë se June u kishte rrëfyer atyre se ishte në një marrëdhënie abuzive. Ariel Mirel, fqinji i saj, tha se 25-vjeçari “nuk donte që June të fliste me njerëz të caktuar, ai ishte abuziv. Ai bënte gjithmonë komente për trupin dhe peshën e saj. Mënyra se si vdiq, vuajtjet që duhet të ketë duruar, frika, dhuna, dhimbja, të gjitha më mbajnë zgjuar natën”.
Familja e June tani po kërkon ndihmë për të transportuar trupin e “vajzës, motrës, mbesës, kushërirës dhe shoqes së tyre të dashur” në Skoci.
Shoqja e saj më e mirë, Vicky Tulika, ka krijuar një faqe GoFundMe e cila ka mbledhur më shumë se 6,000 euro deri dje.
Duke i bërë homazh shoqes së saj, ajo shkroi:”June ishte e njohur për personalitetin e saj të gjallë, të qeshurën ngjitëse dhe zemrën e dhembshur. E suksesshme, ajo kishte shumë diploma, por arritja për të cilën ishte më krenare ishte diplomimi i saj në drejtësi. Me guxim dhe vendosmëri, June u transferua në Amerikë për të dhënë provimin e jurisprudencës dhe për të ndjekur ëndrrën e saj për t’u bërë avokate mbrojtëse. Ajo punoi pa u lodhur për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten”.
Faqja thotë se paratë e mbledhura do të mbulojnë “kostot e riatdhesimit në Mbretërinë e Bashkuar, kostot e funeralit dhe varrimit, si dhe çdo kosto ligjore ose udhëtimi që lidhet me këtë tragjedi”, të cilat “do të ndihmojnë në lehtësimin e kësaj barre në një kohë pikëllimi të thellë”.
Top Channel