
Rusia ka ndërmarrë një sulm ajror masiv ndaj qyteteve ukrainase gjatë orëve të natës, duke lëshuar qindra dronë dhe raketa, ka njoftuar Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiga, në një postim në rrjetin social X.
“Rusia ka nisur një sulm të ri të përmasave të mëdha në qytete ukrainase ndërsa njerëzit flinin. Edhe një herë, qindra dronë dhe raketa kanë goditur ndërtesa banimi, duke shkaktuar viktima civile”, shkroi Sybiga.
Sipas autoriteteve në Kiev, të paktën katër persona kanë humbur jetën, mes tyre besohet të jetë edhe një vajzë 12-vjeçare, ndërsa të paktën 10 të tjerë janë plagosur në kryeqytetin ukrainas.
Pas sulmeve, Polonia ka mbyllur përkohësisht hapësirën ajrore mbi aeroportet Lublin dhe Rzeszów, në lindje të vendit, në kufi me Ukrainën. Lajmi u konfirmua nga Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura të Polonisë, sipas mediave lokale.
Forcat polake sqaruan se masa është “parandaluese në natyrë” dhe ka të bëjë me aktivitetin e forcave ajrore me rreze të gjatë veprimi të Federatës Ruse, që po godasin territoret ukrainase pranë kufirit.
“Qëllimi është të sigurohet hapësira ajrore dhe të mbrohen qytetarët, veçanërisht në zonat afër kufirit”, thuhet në deklaratën zyrtare. Forcat polake mbeten në gatishmëri të plotë për reagim të menjëhershëm.
Ky është një nga sulmet më të mëdha ajrore të Rusisë ndaj Ukrainës gjatë muajve të fundit dhe vjen në një moment tensionesh të shtuara ndërmjet Moskës dhe Perëndimit. Zyrtarët ukrainas kanë bërë thirrje për më shumë ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë, duke e cilësuar sulmin si një akt terrorizmi shtetëror.
Për momentin, njësitë e mbrojtjes ajrore ukrainase raportojnë se kanë rrëzuar një numër të konsiderueshëm dronësh dhe raketash, por dëmet në infrastrukturë dhe jetët e humbura e bëjnë këtë një nga natat më të rënda të sezonit.
Top Channel