Restaurimi i “Liri a vdekje”, filmi ikonik i Çerçiz Topullit shfaqet në mbrëmjen finale të festivalit ndërkombëtar

28/09/2025 20:29

“Më ka marrë malli shumë për ju. Më ka marrë malli për këta trima që për katër muaj luftuan që të sillnin këtë film, që do të shohim sot të restauruar”, shprehet Nikolla Llambro.

Me nostalgji, emocione dhe kujtime të paharrueshme aktorët ndoqën filmin “Liri a vdekje”, të restauruar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, që u shfaq premierë në mbrëmjen finale të edicionit të 23-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë.

Filmi ikonik i kinemasë shqiptare sjell në ekran heroizmin e Çerçiz Topullit, simbol i rezistencës për liri dhe pavarësi, që interpretohet nga Timo Flloko.

Në rolin e figurave të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, janë aktorë të njohur si Reshat Arbana, Kadri Roshi, Gjergj Lala, Kastriot Çaushi, Bujar Asqeriu, Nikolla Llambro.

Me këtë restaurim, plotësohet amaneti i regjisorëve Kristaq Mitro dhe Ibrahim Muçaj që filmi “Liri a vdekje” të ishte një seri e vetme, ç’ka nuk u lejua në vitin 1979 kur u realizua prodhimi kinematografik.

Kam kënaqësinë që me këtë ekip me këta miqtë e mi kolegë të jemi këtu në këtë restaurim. Njerëzit e shquar të këtij filmi nuk janë më. I bëj homazh që nga skenaristi i shquar Vath Korreshi, dy regjisorëve Kristaq Mitro dhe Ibrahim Muçaj, kompozitorit të madh, Kujtim Laro dhe shumë e shumë të tjerëve”, thotë Timo Flloko.

Restaurimi digjital që riktheu filmin në shkëlqimin e tij të dikurshëm u realizua në studiot e Augustus Color në Romë.

“Filmi kishte probleme me ngjyrat, kishte një blu të tmerrshme në sfond. Merret, pastrohet, digjitalizohet dhe kopja shkon në vendin ku do të restaurohet dhe kopja shkon në vendin ku do të restaurohet. Pastaj kthehet në gjendjen që ju e patë, që për mua është tepër e larmishme. Ka skenat, ka peizazhin, ka aktorët, por edhe muzikën e ka shumë të bukur”, deklaroi Eljan Tanini, drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit

Pas 17 filmash, Arkivi i Filmit pritet të nisë punën për restaurimin e “Përballë”, ekranizimi të romanit të Teodor Laços.

Top Channel