
Sanksionet e OKB-së ndaj Iranit, për shkak të mospërmbushjes së angazhimeve për programin e tij bërthamor, u rivendosën në orën 3 të mëngjesit, dhjetë vjet pasi ato u hoqën.
Një propozim nga Rusia dhe Kina për të shtyrë rivendosjen e sanksioneve për gjashtë muaj dështoi të miratohej në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të premten, pasi vetëm katër vende votuan në favor të projektrezolutës. Nëntë nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së votuan kundër saj dhe dy abstenuan.
“Diplomacia mbetet një opsion, një marrëveshje mbetet rezultati më i mirë për popullin iranian dhe bashkësinë ndërkombëtare. Që kjo të ndodhë, Irani duhet të bjerë dakord për bisedime të drejtpërdrejta, të zhvilluara me mirëbesim, pa shmangie ose mashtrim”, theksoi Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, në një deklaratë, duke u bërë thirrje vendeve të tjera që të “zbatojnë menjëherë” sanksionet kundër Teheranit.
Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe mirëpritën rivendosjen e sanksioneve ndaj Iranit, duke i bërë thirrje Teheranit të “përmbahet nga çdo veprim përshkallëzues” dhe “të përmbushë detyrimet e tij”. Një deklaratë e përbashkët nga ministrat e jashtëm të tre vendeve theksoi se ata do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të “kërkuar një zgjidhje diplomatike që siguron që Irani të mos pajiset kurrë me armë bërthamore”.
Irani mbron të drejtën e tij sovrane për të pasur një program bërthamor për qëllime civile, veçanërisht për prodhimin e energjisë, ndërsa mohon kategorikisht se kërkon të zhvillojë armë bërthamore.
Top Channel